Me moton “Nalo, unë jam këmbësor!”, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, në bashkëpunim me Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, ka realizuar dje një fushatë vetëdijësuese në zonën qendrore të qytetit, informon tvfesta.mk
Qëllimi i këtij aksioni parandalues është rritja e ndërgjegjësimit si te këmbësorët, ashtu edhe te shoferët, për respektimin e rregullave të trafikut dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Gjatë aktivitetit, autoritetet u bënë thirrje këmbësorëve që të kalojnë rrugën vetëm në vendkalimet e shënuara, duke tërhequr vërejtjen se kalimi i rrugës jashtë vizave të bardha përbën një rrezik të madh dhe mund të çojë në aksidente me pasojat të rënda.
Nga ana tjetër, shoferëve u është kujtuar obligimi për të ulur shpejtësinë dhe për të treguar kujdes të shtuar pranë vendkalimeve të këmbësorëve, me theks të veçantë në afërsi të shkollave.
Si pjesë e fushatës, për këmbësorët dhe shoferët që respektonin rregullat u ndanë fletëpalosje edukative dhe bluza me mesazhin kryesor: “Nalo, ule shpejtësinë, unë jam këmbësor!”.
Nga SPB Kumanovë apelojnë për kujdes më të madh dhe sjellje të përgjegjshme nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së këmbësorëve./tvfesta.mk

