Disa vatra zjarri përfshijnë rajonin, digjet një veturë dhe sipërfaqe me pyje të ulëta
Rajoni i Kumanovës është përballur gjatë ditës së djeshme me disa vatra zjarri. Sipas të dhënave nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Krizat, zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të tëra me bar të thatë, pyje të ulëta, por edhe një automjet, informon tvfesta.mk
Incidenti i parë është regjistruar në fshatin Kosmatac, ku një veturë është përfshirë tërësisht nga flakët. Ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë menjëherë në terren për lokalizimin e zjarrit nga ora 07:05 deri në 08:25.
Një tjetër vatër më masive ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në atarin e fshatit Ljubidrag. Për shkak të kushteve terrenit, flakët janë zgjeruar me shpejtësi drejt fshatrave Umin Doll, Llopat, si dhe në fshatin Ropalcë të Komunës së Likovës. Në këtë vatër janë djegur sipërfaqe me bar të thatë dhe pyje të ulëta.
Për vënien e zjarrit nën kontroll janë angazhuar gjashtë zjarrfikës me dy automjete speciale, të cilët kanë luftuar me flakët për më shumë se dy orë.

