KUMANOVË

Sonte nata e dytë e „Balkan Fest – 2026“ në Mateç të Likovës

Pas një atmosfere të jashtëzakonshme që pushtoi mbrëmë Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, edicioni i VI-të i Festivalit Ndërkombëtar „Balkan Fest – 2026“ do të vijojë sonte me natën e tij të dytë dhe përmbyllëse në fshatin Mateç të Komunës së Likovës, raporton tvfesta.mk

Mbrëmjen e djeshme, publiku kumanovar e mirëpriti me duartrokitje të ngrohta dhe entuziazëm të madh ngjarjen më të madhe kulturore, ku skena u ndriçua nga performancat e shkëlqyera të ansambleve si AKV „Bajram Shabani“, Kori „Nexhmije Pagarusha“, AKV „Srma“, „NAKEM“ nga Turqia, AKV „Bllagaj“ nga Bosnja e Hercegovina, Ansambli „Shqiponja“ nga Tirana dhe AKV „Ilirida“ nga Shtimja.

Skena zhvendoset sonte në fshatin Mateç, me fillim nga ora 19:00, për të gjithë artdashësit e muzikës dhe traditës folkorike, hyrja do të jetë falas.

Në skenën e Mateçit do të defilojnë dhe do të dhurojnë magji artistike:

SHKA „Presheva“ (Preshevë)

Kori „Nexhmije Pagarusha“ (Kosovë)

„NAKEM“ (Bursa, Turqi)

SHKA „Drita e Dërvenit“ (Saraj)

AKV „Bllagaj“ (Bosnjë dhe Hercegovinë)

SHKA „Zëri i Kosovës“ (Fushë Kosovë)

AKV „Jeta e Re“ (Sllupçan)

Organizatorët nga AKV „Bajram Shabani“ u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të Komunës së Likovës dhe më gjerë që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore të kulturës dhe traditës ballkanike.

Për të gjithë ata që nuk mund të jenë të pranishëm fizikisht, Televizioni Festa në bashkëpunim me Ideal Films do të sjellë transmetimin live të kësaj mbrëmjeje festive në ekranet tuaja.