Zëvendësministri Sulejmani mori pjesë në „Torino Global Skills Summit 2026“
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ishte një nga panelistët në diskutimin kushtuar rolit të bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e aftësive, qëndrueshmërisë dhe përballjes me transformimet globale, i cili u organizua në kuadër të Samitit Global për Aftësi, që u mbajt gjatë tri ditëve të fundit në Torino, Itali.
Në fjalën e tij, Sulejmani prezantoi prioritetet dhe angazhimet reformuese të Maqedonisë për ndërtimin e një sistemi arsimor që u përgjigjet nevojave të tregut të punës, zhvillimit teknologjik, ndryshimeve demografike dhe tranzicionit të gjelbër.
Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e forcimit të arsimit dhe aftësimit profesional, zhvillimit të arsimit dual, në të cilin sot janë të përfshira mbi 1.000 kompani, avancimit të qendrave rajonale për arsim dhe aftësim profesional, këshillimit në karrierë dhe promovimit të të nxënit gjatë gjithë jetës.
„Qëllimi ynë nuk është vetëm t’u përgjigjemi nevojave të tregut të punës, por, mbi të gjitha, të krijojmë mundësi që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë, ndërsa qytetarët të kenë mundësi të përshtaten, të përparojnë dhe të marrin pjesë aktivisht në transformimet ekonomike dhe shoqërore“, tha Sulejmani.
Në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave dhe procesit të integrimit evropian, Sulejmani theksoi se institucionet mbeten të përkushtuara në ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, cilësor dhe konkurrues, të bazuar në partneritete të qëndrueshme ndërmjet institucioneve arsimore, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
„Investimi në arsim dhe në zhvillimin e aftësive është investim në të ardhmen e vendit tonë dhe në perspektivën e tij evropiane“, shtoi zëvendësministri.

