
Shkëndija është kampione e Maqedonisë për herë të pestë në histori! Kuqezinjtë mposhtën Rabotniçkin me rezultat 2:1 në Tetovë dhe dy xhiro para fundit sigurojnë matematikisht titullin e sezonit 2024/25 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.
Të vetëdijshëm për peshën e ndeshjes, djemtë e drejtuar nga Jeton Beqiri u futën fuqishëm në lojë dhe qysh në minutën e 6-të kaluan në epërsi. Pas një presioni të lartë të kapitenit Ibraimi dhe një asistimi të saktë nga Florent Ramadani, Liridon Latifi shënoi për 1:0. Shkëndija dominoi pjesën e parë dhe në minutën e 33-të, pas një diagonale të bukur nga Alhassan, Fabrice Tamba kontrolloi topin në mënyrë perfekte dhe realizoi golin e dytë për festë kuqezi.
Në fraksionin e dytë ritmi ra disi dhe kjo u shfrytëzua nga miqtë nga Shkupi. Një kontakt në zonë solli penallti për Rabotniçkin dhe Dalei realizoi për 2:1. Reagimi i Shkëndijës ishte i menjëhershëm me një super goditje të Ibraimit, mirëpo portieri Aleksovski bëri pritje spektakolare. Në anën tjetër, një intervenim vendimtar i portierit Amzai në minutën e 73-të ruajti epërsinë.
Me përfundimin e takimit nisi festa e madhe në fushë, ndërsa lojtarët, në mungesë të tifozëve në tribuna për shkak të dënimit, dolën në ballkonin e stadiumit për të ndarë emocionet me tifozët dhe “Ballistët” që ishin mbledhur jashtë stadiumit për të përkrahur ekipin.
Titulli i pestë është realitet, Shkëndija është përsëri në majë!