KUMANOVË

Pajisje mjekësore me vlerë 108 milionë denarë mbërrijnë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës

Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës në tre muajt e ardhshëm pritet të pajiset me pajisje mjekësore në vlerë prej 108 milionë denarësh, përkatësisht afërsisht 1.8 milionë euro, raporton tvfesta.mk

Investimi përfshin aparatura moderne për disa reparte, ndërsa sipas drejtorit Sasho Stoshevski, një investim i tillë në spital nuk mbahet mend në 30 vitet e fundit.

Falë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor, në spital në tre muajt e ardhshëm duhet të mbërrijnë pajisje mjekësore në vlerë prej 108 milionë denarësh, përkatësisht rreth një milion e 800 mijë euro”, deklaroi Stoshevski.

Stoshevski informoi se procedurat e tenderit kanë përfunduar dhe po fillon realizimi i prokurimeve.

Siç informon tvfesta ndër pajisjet që pritet të mbërrijnë janë aparate eho për oftalmologjinë, repartin e internistikës, pediatrinë, gjinekologjinë, neonatologjinë dhe neurologjinë, si dhe një aparat tjetër rentgen, një sistem qendror monitorimi për repartin e internistikës, perfuzorë dhe aparatura të tjera mjekësore.

Paralelisht me prokurimin e pajisjeve, mjekët do t’i nënshtrohen trajnimeve për përdorimin e tyre, me qëllim që aparatet e reja të vihen në funksion dhe të mundësohet avancimi i shërbimeve shëndetësore për pacientët.

– Shpresojmë se do të jenë në dobi tonë, para së gjithash për pacientët tanë. Paralelisht me këtë, stafin e specializuar mjekësor, përkatësisht mjekët, po i dërgojmë në trajnime për punë me këtë aparaturë”, tha drejtori, duke shprehur pritjen që nga fillimi i vitit të ardhshëm spitali të disponojë me pajisjet e nevojshme për të siguruar një numër më të madh shërbimesh shëndetësore.

Përveç investimit në pajisjet mjekësore, në Spitalin e Përgjithshëm pritet edhe përforcim plotësues i stafit mjekësor.

Stoshevski njoftoi mbështetje për punësimin edhe të 20 specializantëve. Aktualisht është në vijim edhe një shpallje për punësimin e tetë personave për staf të mesëm mjekësor.
Drejtori theksoi se me ekipet ekzistuese të mjekëve spitali është pothuajse plotësisht i mbuluar me staf, ndërsa me specializantët e rinj pritet përforcim plotësues i stafit në fushat e ndryshme mjekësore.

Megjithatë, mungesa e anesteziologëve mbetet sfidë. Spitali aktualisht ka pesë specializantë të anestezisë, dy prej të cilëve pritet ta përfundojnë specializimin deri në fund të vitit, ndërsa tre të tjerët për rreth dy vjet.
Deri atëherë, nevojat do të mbulohen përmes marrëveshjeve me institucione të tjera shëndetësore, anesteziologët e të cilëve vijnë në kujdestari nga Shkupi në Kumanovë.

Sipas Stoshevskit, me këtë mënyrë pune do të sigurohet kontinuitet në shërbimet për pacientët derisa të tejkalohet mungesa e stafit.
Nga Spitali i Përgjithshëm njoftojnë edhe nevojën për punësime shtesë të stafit të mesëm mjekësor, si dhe të stafit ndihmës-teknik.
Stoshevski informoi se shpallja paraprake për staf të mesëm mjekësor dhe dy mjekë ka përfunduar me sukses, ndërsa në periudhën e ardhshme priten mundësi të reja për punësim.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të interesuar nga Kumanova, veçanërisht infermierëve, teknikëve mjekësorë dhe ndihmësmjekëve, që të aplikojnë në shpalljet publike kur të publikohen.
Siç theksoi drejtori, në periudhën e fundit po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e stafit mjekësor cilësor, arsye për të cilën përveç investimeve në pajisje, sigurimi i stafit të kualifikuar mbetet një nga prioritetet e spitalit.