KUMANOVË

Gjest i madh i nxënëses Alba Kasumi nga Hotël: Dhuron kursimet e saj për fëmijët me nevoja të veçanta

Një histori prekëse dhe shembullore humanizmi vjen nga shkolla fillore “Anton Zako Çajupi” në fshatin Hotël të Komunës së Likovës, raporton tvfesta.mk

Nxënësja Alba Kasumi ka bërë një gjest mjaft fisnik, duke i dhuruar shkollës së saj të gjitha kursimet personale. Këto mjete financiare ajo i kishte grumbulluar me përkushtim gjatë aktivitetit të saj vullnetar përgjatë pushimeve të verës.

Ajo ka vendosur që këto kursime t’ia dedikojë plotësisht plotësimit të nevojave të shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta, duke dëshmuar se dashuria, humanizmi dhe dëshira për të ndihmuar nuk njohin moshë.

Siç informon tvfestam nga drejtoria e shkollës “Anton Zako Çajupi” dhe stafi arsimor kanë shprehur falënderimet më të përzemërta për Albën, duke e vlerësuar iniciativën e saj si një shembull frymëzues për të gjithë bashkëmoshatarët dhe nxënësit e tjerë.

“Faleminderit Alba që me veprimin tënd sot na kujtove fuqinë e mirësisë dhe bujarisë! Shkolla jonë është krenare që ka nxënës si ti”, kanë deklaruar nga stafi i shkollës.

Ky gjest solidariteti tregon fuqinë e mirësisë që mbartin brezat e rinj dhe mbetet një mesazh i fuqishëm për të gjithë komunitetin. /tvfesta