Nën moton “PO SPORTIT, JO DHUNËS”, Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë organizoi sot një turne në futboll të vogël, ku morën pjesë nxënës nga të gjitha shkollat fillore të Komunës së Likovës, raporton tvfesta.mk
Ky aktivitet sportiv kishte për qëllim promovimin e sportit, bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë dhe parandalimin e dhunës mes të rinjve.
Turneu u mbështet nga kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit, shpalli të hapur turneun dhe u uroi nxënësve lojë të ndershme dhe suksese në garë.
Mikpritës i këtij aktiviteti ishte drejtori i Shkollës Fillore “Dituria” në Likovë, Gazmend Ganiu, ndërsa në turne morën pjesë shkollat fillore nga të gjitha vendbanimet e komunës, të shoqëruara nga profesorët e edukatës fizike, të cilët njëkohësisht ishin edhe mentorë të ekipeve.
Pas zhvillimit të ndeshjeve, vendin e parë e fitoi Shkolla Fillore “Faik Konica” nga Sllupçani, vendin e dytë e zuri Shkolla Fillore “Dituria” nga Likova, ndërsa vendi i tretë i takoi Shkollës Fillore “Kultura” nga Mateçi.
Shefja e Sektorit për Parandalim pranë SPB Kumanovë, mr. Lile Mladenovska, shprehu mirënjohje për kryetarin Erkan Arifi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e projekteve në territorin e Komunës së Likovës.
Ajo bëri të ditur se tashmë janë duke u zhvilluar përgatitjet në bashkëpunim me kabinetin e kryetarit të komunës për realizimin e projekteve të reja gjatë muajit të ardhshëm.
Mladenovska falënderoi gjithashtu drejtorin e shkollës nikoqire, Gazmend Ganiu, për mikpritjen dhe organizimin, si dhe të gjithë profesorët dhe mentorët që kontribuuan që turneu të zhvillohej në një atmosferë pozitive, sportive dhe me respekt të ndërsjellë.
“Një bashkëpunim i tillë është sukses për të gjithë ne. Të organizohemi, të mblidhemi në një vend dhe të shoqërohemi së bashku për të mirën e fëmijëve tanë, është një nxitje për organizimin e aktiviteteve të tjera, edhe më të mëdha dhe më të suksesshme në të ardhmen”, theksoi Mladenovska.
Ky aktivitet dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, shkollave dhe pushtetit lokal në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe pozitiv për fëmijët, duke përcjellë mesazhin se sporti bashkon, edukon dhe promovon një shoqëri pa dhunë. /tvfesta





