KUMANOVË

ME SHTËPITË E PLEQVE QË PO SHTOHEN, A PO VARROSET NDËRGJEGJJA JONË KOMBËTARE

Koha e shtëpive të pleqve, apo koha e humbjes së ndërgjegjes

Dikur prindi ishte shtylla e shtëpisë, fjala e tij ishte ligj moral, prania e tij ishte bekim, shtëpia merrte frymë me respektin ndaj tij, me urtësinë e tij.
Sot po ndërtohen gjithnjë e më shumë shtëpi për pleq, siç po trumbetohet nevojë e kohës.
Por kur po ndërtojmë ndërtesa, të quajtura shtëpi të pleqëve, apo po shembim themelet e traditës!
Ku na mbeti tradita kombëtare që e ngriti familjen shqiptare mbi nderin dhe respektin, ku na mbeti morali fetar që na mëson se prindi është rruga drejt mëshirës, drejt faljes dhe drejt bekimit hyjnor.
Në të gjitha mësimet fetare, respekti ndaj prindit është urdhër, jo këshillë. Në çdo kulturë të shëndoshë, i moshuari është urtësi, jo barrë. Dikur, fëmija nuk merrte vendim pa e pyetur babanë, nuk ndërtonte shtëpi pa e këshilluar nënën, e dinte se përvoja është pasuri, e dinte se thinjat janë medalje sakrifice. Sot, në shumë raste, prindi shihet si pengesë. Çdo fjalë e tij duket ndërhyrje, çdo këshillë e tij duket bezdi, çdo nevojë e tij shihet si barrë financiare.

Është e vërtetë se fëmija ka vlerë të madhe, por vlera e fëmijës nuk mund të ndërtohet mbi poshtërimin e prindit. Sepse ai fëmijë është fryt i sakrificës së dikujt.
Dikush ka punuar natë e ditë, dikush ka hequr dorë nga ëndrrat e veta, dikush ka duruar lodhje, varfëri e mund që sot ai fëmijë të jetojë më mirë.
Sot dëgjojmë prindër që qortohen më shumë se fëmijët, që nuk pyeten për asgjë, që u mohohet pensioni (që mbulonë harxhime të rëndësishme në çdo familje) që u thuhet: “Ne po të mbajmë.”
Harrohet se ai njeri (prindi i gjorë) ka mbajtur dikur gjithë shtëpinë mbi supe, harrohet se ai ka qenë drita kur të tjerët ishin në errësirë, harrohet se sakrifica e tij është themeli i rehatisë tyre.
Edhe kur është në moshë të shtyrë, por me shëndet të mirë, në vend që të shijojë jetën, natyrën, pushimet, qetësinë, vendet e shenjta, shpesh detyrohet të sakrifikojë përsëri për luksin e atyre që dikur i mbante në krahë. Dhe pastaj vjen fjala më e lehtë: imponim “Shtëpia e pleqve.”
Po, ka raste kur ajo është zgjidhje humane dhe e domosdoshme, ka raste kur kujdesi profesional është i nevojshëm. Por kur arsyeja është padurimi, komoditeti, apo egoizmi, atëherë problemi nuk është mosha e prindit, problemi është ftohtësia e zemrës.
Një komb që e humb respektin për prindin, e humb identitetin, një shoqëri që e largon të moshuarin nga sofrat, e largon bekimin nga shtëpia. Pa rrënjë, asnjë pemë nuk qëndron gjatë. Pa respekt për prindin, asnjë familje nuk qëndron e fortë.
Respekti për prindin nuk është vetëm normë morale apo detyrim fetar, është borxh njerëzor, është pasqyrë e karakterit tonë, është mësimi që po ua lini fëmijëve tuaj. Sepse siç sillemi sot me prindërit tuaj, ashtu do të sillen nesër fëmijët tuaj me Ju. Koha mund të ndryshojë, teknologjia mund të përparojë, por vlerat nuk duhet të plaken.

Prindi nuk është barrë, është themeli i shtëpisë, , është sakrificë, është bekim. Dhe një shtëpi pa respekt për prindin nuk është shtëpi, është vetëm një ndërtesë bosh, një varrë, një gërmadhë pa shpirt, një heshtje pa bekim, por vetëm mallkim.