RAJON & BOTA

Drejtori i AZGj-së bashkëorganizator i Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Durrës; nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, së bashku me ndihmësudhëheqësen e Sektorit për mbështetje të drejtorit Shpresa Zeqiri Ibrahimi dhe Liber Emini e Ubejd Ramani nga kabineti i drejtorit, morën pjesë në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare me temë “Formësimi i së Ardhmes: Arsimi dhe Inovacioni në Shoqërinë Digjitale”, ku AZGJ paraqitet në cilësinë e bashkëorganizatorit.

Konferenca, që po mbahet më 29 e 30 prill 2026 në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ka mbledhur studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke trajtuar tema që lidhen me arsimin, teknologjinë dhe sfidat e shoqërisë digjitale.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje të rëndësishme akademike, drejtori Granit Osmani zhvilloi takime të rëndësishme institucionale. Delegacioni i AZGJ-së u prit nga profesoresha Manjola Zaçellari dhe rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi, me ç’rast u nënshkrua edhe Memorandum i Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Nënshkrimi i këtij memorandumi synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e gjuhës, arsimit dhe projekteve të përbashkëta shkencore.

Në këtë drejtim, ky memorandum pritet të hapë rrugë për iniciativa të reja akademike, shkëmbime profesionale dhe zhvillimin e projekteve që kontribuojnë në avancimin e përdorimit dhe standardizimit të gjuhës në kontekstin e shoqërisë moderne digjitale.

Pjesëmarrja e AZGJ-së në këtë konferencë dhe roli i saj si bashkëorganizatore dëshmon përkushtimin institucional për të qenë pjesë aktive e proceseve ndërkombëtare që lidhen me arsimin dhe inovacionin.

Durrës, 29.4.2026