SPORT

Learta Memeti fiton dy medalje bronzi në kampionatin shtetëror të notit për nxënësit e shkollave fillore

Nxënësja e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, Learta Memeti, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në kampionatin shtetëror të notit për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, duke zënë vendin e tretë në dy disiplina, krol (stil i lirë) dhe delfin, raporton tvfesta.mk.

Në garat e zhvilluara sot, më 26 nëntor 2026, në Pishinën e Qytetit në Kumanovë, kanë marrë pjesë mbi 270 garues nga mbarë vendi.

Shkolla Fillore “Naim Frashëri” është përfaqësuar nga tri nxënëse, të cilat kanë arritur rezultate të dalluara:
– Learta Memeti – vendi i tretë në disiplinat krol dhe delfin;
– Lahuta Qerimi – vendi i tretë në disiplinën krol (stil i lirë);
– Arlinda Ismaili – vendi i katërt në disiplinën e notit në shpinë.
Në veçanti, Learta Memeti, nxënëse e klasës VII-6, me suksesin e dyfishtë në këtë kampionat shtetëror, ka dëshmuar talentin dhe përkushtimin e saj në sportin e notit.

Nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri” kanë përgëzuar nxënëset për rezultatet e arritura, duke shprehur njëkohësisht pakënaqësi për atë që e cilësojnë si anashkalim të shkollave të tyre nga organizatorët e sportit shkollor në Maqedoninë e Veriut. Sipas shkollës, pavarësisht kësaj, vajzat kanë treguar karakter dhe profesionalizëm.

Kampionati është organizuar nga Federata e Sportit Shkollor të Maqedonisë, në bashkëpunim me Lidhjen Komunale të Sportit Shkollor, ndërsa hapjen solemne e ka bërë kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. /tvfesta