Kryeredaktorja e Servisit të Dytë Publik në Radiotelevizionin e Maqedonisë (MRT), Nora Kaliqi, ka marrë pjesë në një panel të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, ku është diskutuar për dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave, raporton tvfesta.mk.
Përmes një publikimi, Kaliqi ka vënë theksin te përgjegjësia e mediave gjatë raportimit për rastet e dhunës, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë dhe dinjitetit të viktimave.
“Në panelin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ndërsa dëgjoja rrëfimet e të rinjve për dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave, mendova edhe për vajzën që e lexon një lajm të tillë në heshtje. Ndoshta edhe asaj i ka ndodhur diçka e ngjashme. Nga një pyetje që ia bëjmë ne, nga një hollësi që ia zbulojmë, nga një koment që e lëmë pa reagim, ajo mund të vendosë nëse nesër do të guxojë të flasë”, është shprehur Kaliqi.
Kryeredaktorja e Servisit të Dytë Publik ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm mediatik, duke theksuar se viktimat duhet të ndihen të sigurta për të kërkuar ndihmë.
“Do të doja që, kur ta lexojë lajmin tonë, ta dijë se mund të kërkojë ndihmë pa pasur nevojë të mbrohet edhe nga ne”, ka përfunduar Kaliqi.
Mesazhi i saj vë në pah rolin e mediave në parandalimin e riviktimizimit, ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për gratë dhe vajzat që përballen me dhunën digjitale. /tvfesta

