KUMANOVË

Klubi i Karatesë “Bashkimi 2002” nga Kumanova i indinjuar me ndarjen e buxhetit komunal për sport

Reagim i Klubit të Karatesë “Bashkimi 2002” nga Kumanova

Të nderuar miq, në emër të Klubit të Karatesë “Bashkimi 2002” nga Kumanova shprehim indinjatën tonë të thellë rreth ndarjes së buxhetit për sport nga Komuna e Kumanovës dhe Lidhja e Sporteve pran saj për vitin kalendarik 2025.

Klubit të Karatesë “Bashkimit 2002” i ndahen vetëm 55 000 denarë për vitin 2025. Ndërsa, gjithësej, për vitet 2023, 2024 dhe 2025 klubit, deri tani, i janë ndarë 105 000 denarë në total. Po ashtu, me kërkesa të veçanta na janë përgjigjur edhe kryetari Dimitrievski edhe Lidhja e sporteve, për çka u jemi mirënjohës, por, megjithatë, te çështja e buxhetit, duhet ta themi hapur që kemi dilemat tona pse kaq shumë jemi diskriminuar.

Prandaj publikisht pyesim: si ka mundësi që një klub si ky i yni, i cili vetëm brenda tre viteve të fundit ka arritur t’i nxjerrë 14 kampion shteti; 11 medalje ballkanike ( prej të cilave 4 të arta, 5 të argjenta dhe 2 të bronzëta); gjithashtu, 3 medalje mesdhetare nga të cilat 1 të argjent dhe 2 të bronzëta; 3 pjesëmarrës në kampionatin botëror; 7 në kampionatin europian ( ku kemi dy plasmane edhe atë një vend të 5 dhe një të 7).

Së fundmi anëtari i klubit tonë mori pjesë në Kupën Botrore për Ekipe në Spanjë, ku të kualifikuara kanë qenë vetëm 20 shtetet më të mira në botë në sportin e karatesë, në të cilin event garuesi ynë kishte paraqitjen më të mirë nga i gjithë reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut.

Duam të theksojmë që klubi ynë është ranguar si klubi i 6 më i mirë për vitin 2023 në mesin e rreth 80 klubeve sa ka anëtarë Federata e Karatesë e Maqedonisë dhe të lihet me 55 000 denarë për vitin që vjen nga Kryetari i Komunës dhe kryetari i
Lidhjes së Sporteve dhe këshilltarët të çfarëdo partie qofshin (s’na intereson aspak), ndërkohë që kemi reprezentus nga rradhët tona, që do të merr pjesë në Kampionatin Evropian në shkurt të 2025, i cili do të mbahet në Bielsko-viala të Polonisë dhe kjo shumë nuk do të mjaftojë vetëm për pjesëmarrjen e tij, pa llogaritur aktivitetet e shumta që na presin në vitin 2025.

Duke qenë pa asnjë sponzor dhe kështu të diskriminuar na vështirësohen jashtmase mundësitë për të realizuar ambicjet dhe objektivat tona. Megjithatë, pyesim publikisht , cili nga klubet e sporteve individuale ka, për së afërmi, sukseset tona në cfarëdo niveli të garave dhe në të gjitha grupmoshat qe garohet?

Edhe njëherë theksojmë që shuma e ndarë, veç tjerash, është nënçmuese dhe poshtëruse për klubin dhe të gjithë antarët tanë të cilët japin gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar sa më denjësisht atë dhe qytetin të cilit i përkasim, në nivele të ndryshme ku garojmë si në ato shtetërore, ballkanike, mesdhetare, europiane dhe botërore.

Falënderojmë të gjithë ata që na kanë ndihmuar, pa përjashtim, deri tani, ndërkohë që ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm të kontribuojmë dhe të veprojmë duke korrur suksese edhe më të arrira, ndërsa atyre që na vlerësuan kaq pak, le t’u mbetet në ndërgjegjen e tyre.

Me respekt nga stafi udhëheqës i klubit!