KUMANOVË

Kompani kineze e interesuar për investime në Kumanovë

Mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe realizimin e projekteve të ardhshme investuese në Kumanovë kanë qenë temë e takimit të punës ndërmjet kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, dhe përfaqësuesve të kompanisë kineze “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group Ltd.”, raporton tvfesta.mk.

Në takim, ku kanë marrë pjesë edhe sekretari i komunës dhe kryetarja e Këshillit të Komunës së Kumanovës, theks i veçantë është vënë në zonat industriale “Novini” dhe “Reçicë”, si dhe në potencialin investues që ofron komuna.

Gjatë takimit janë shkëmbyer informacione lidhur me kushtet për investime, mundësitë që ofrojnë zonat industriale dhe realizimin potencial të projekteve dhe investimeve të ardhshme nga kompania kineze.

Në përbërje të delegacionit kinez kanë qenë përfaqësues të sektorit të marketingut të kompanisë, përfaqësues i Zyrës për Çështje Ekonomike dhe Tregtare pranë Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës, si dhe drejtues i një zyre avokatie nga Kina.

Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se mbeten të përkushtuar në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me investitorë vendas dhe të huaj, tërheqjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje konkrete lidhur me vlerën e investimeve të mundshme apo afatet e realizimit të tyre.