Reagim
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut – Maqedoni
Nga: Idriz Sinani, Kryetar Nderi
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën ndaj veprimeve të fundit të strukturave policore në Kumanovë, ku është arrestuar i riu Ardi Saitu, vetëm pse mbante me dinjitet flamurin kombëtar shqiptar, një simbol i lejuar, i mbrojtur me ligj dhe i padiskutueshëm për identitetin tonë kombëtar.
Sipas informacionit nga terreni, ndaj tij është ngritur lëndë në Prokurori, ndërsa policia ka shoqëruar dhe arrestuar edhe tre adoleshentë të tjerë, si dhe rreth orës 22:50 janë shoqëruar në komisariat edhe dy persona të tjerë, pa sqarime të qarta ligjore dhe pa respektimin e procedurave standarde për të mitur.
Këto veprime përbëjnë shkelje të hapur të lirive themelore, përfshirë:
të drejtën për identitet kulturor e kombëtar,
të drejtën e shprehjes së lirë dhe simbolikës,
të drejtën për trajtim të barabartë para ligjit,
si dhe mbrojtjen e të miturve nga procedurat represive dhe të pajustifikuara.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut kërkon:
Lirim të menjëhershëm të të ndaluarve, nëse nuk ekziston asnjë bazë ligjore për mbajtjen e tyre.
Ndërprerjen e praktikave diskriminuese ndaj qytetarëve për shkak të identitetit të tyre kombëtar.
Hetim të pavarur mbi veprimet policore dhe përgjegjësi institucionale për çdo shkelje të procedurave.
Respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat shteti është i obliguar t’i zbatojë.
Ne theksojmë qartë: Flamuri kombëtar nuk është krim. Krim është shkelja e të drejtave të njeriut.
Forumi do të ndjekë nga afër situatën dhe do të njoftojë institucionet ndërkombëtare për çdo rast të përsëritur të shkeljes së të drejtave elementare të qytetarëve.
Me respekt,
Idriz Sinani
Kryetar Nderi
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut – Maqedoni

