Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka njoftuar se sot, më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është vënë zyrtarisht në përdorim sistemi i kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë, raporton tvfesta.mk.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Azizi ka theksuar se ky hap synon lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke thjeshtuar procedurat kufitare dhe duke shkurtuar kohën e pritjes.
“Sot, më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit Shqip, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë një hap praktik për t’ua lehtësuar njerëzve rrugën drejt njëri-tjetrit. Sot vëmë zyrtarisht në përdorim sistemin e kontrolleve të përbashkëta kufitare ‘One Stop Shop’”, ka shkruar Azizi.
Sipas saj, përmes këtij sistemi, kontrollet kufitare të të dyja vendeve do të kryhen në një vend të përbashkët, me vetëm një ndalesë, duke zbatuar modelin “hyrje-hyrje”.
Zëdhënësja e Qeverisë ka theksuar se Qafë Thana është një nga pikat më të frekuentuara kufitare ndërmjet dy vendeve, ku çdo ditë kalojnë qytetarë për arsye familjare, pune, studimi dhe turizmi.
“Vetëm gjatë vitit 2025, në Qafë Thanë u regjistruan mbi 2,3 milionë kalime udhëtarësh, më shumë se gjysma e të gjitha kalimeve të regjistruara në pikat kufitare me Shqipërinë”, ka bërë të ditur Azizi.
Ajo ka sqaruar se pikërisht për shkak të frekuentimit të lartë, zbatimi i këtij sistemi nis në Qafë Thanë, ndërsa më pas parashihet të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.
Sipas Azizit, bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve duhet të reflektohet në përfitime konkrete për qytetarët, përmes procedurave më të thjeshta dhe pritjeve më të shkurtra gjatë kalimit të kufirit.
Në fund të mesazhit, ajo ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit, duke e lidhur këtë datë historike me lehtësimin e komunikimit dhe lëvizjes ndërmjet dy vendeve.
“Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip dhe udhë të mbarë të gjithë atyre që sot e çdo ditë kalojnë nëpër Qafë Thanë”, ka përfunduar Venera Azizi. /tvfesta

