Etem Xheladini
Në shenjë kujtimi dhe nderimi për mikun-vëllanë e bashkudhëtarin tim të paharruar, Dr. Naim Alimi
Gati gjashtë vjet kanë kaluar që kur u ndave nga kjo botë, miku-vëllai im i shtrenjtë, Dr. Naim Alimi. Por mungesa jote vazhdon të ndihet po aq e rëndë, po aq e dhimbshme dhe e thellë, sikur ajo ditë të ishte dje. Vitet kalojnë, koha ecën, por plagët që lënë njerëzit e pazëvendësueshëm nuk mbyllen lehtë. Miku im i shtrenjtë, ti mbetesh përjetësisht në shpirtin dhe kujtesën time. Ishe njeri me zemër të pastër, me shpirt fisnik, me virtyte të larta njerëzore dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj arsimit shqip, humanizmit dhe dashurisë për njeriun. Jeta jote ishte dëshmi e një misioni të shenjtë, të shërbesh, të ndërtosh dhe të lësh gjurmë që u bëjnë dobi brezave. Sa herë të kujtoj, më rikthehen para syve bisedat tona të pafundme, kujtimet e çmuara dhe rrugëtimi ynë prej afro dyzet vjetësh, të cilat i kaluam së bashku, në miqësi, mirëkuptim dhe besnikëri të ndërsjellë. Më kujtohet qetësia jote, bujaria, mençuria e fjalës, maturia në vendimmarrje dhe forca shpirtërore që më jepje në çdo sfidë. Ti nuk ishe vetëm mik, por vëlla i zemrës dhe bashkudhëtar në përpjekjet tona të përbashkëta.
Ishe krahu im i djathtë në betejat e rëndësishme për afirmimin dhe zhvillimin e arsimit shqip. Bashkë qëndruam në momente të vështira, kur kërkohej guxim, vendosmëri dhe sakrificë. Nga hapja e paraleleve të gjimnazit në gjuhën shqipe, më 7 tetor 1991, pa pëlqimin e pushtetit të atëhershëm, e deri te themelimi i Fakultetit të AB-së në Kumanovë, më 22 nëntor 2008, kontributi yt ishte i drejtpërdrejtë dhe i çmuar. Ti ishe aty, jo vetëm si bashkëveprimtar, por edhe si ligjërues, menaxhues dhe udhëheqës me dinjitet e përgjegjësi. Për vite me radhë, nga viti 1997 deri më 2004, shërbeve si prorektor i Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”, duke dëshmuar se posti merr kuptim vetëm kur vihet në shërbim të dijes, arsimit dhe interesit të përgjithshëm. Kontributi yt nuk ishte thjesht një detyrë institucionale, por një mision jetësor. Ti i përkiste asaj gjenerate njerëzish që nuk prisnin kushte të favorshme për të vepruar, por i krijonin ato me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Prandaj, emri dhe vepra jote meritojnë të ruhen me nderim në kujtesën e arsimit shqip dhe të shoqërisë sonë. Ndonjëherë, në heshtjen e kujtimeve, më duket sikur do ta dëgjoj përsëri të qeshurën tënde të qetë, sikur do të shfaqesh para meje me atë buzëqeshjen tënde, me fjalën e ëmbël dhe thjeshtësinë që të karakterizonte. Për një çast, zemra dëshiron të besojë se gjithçka është si dikur, se do të ulemi përsëri për të biseduar, për të kujtuar të kaluarën dhe për të diskutuar për të ardhmen e arsimit shqip. Por realiteti është i pamëshirshëm, ti nuk je më fizikisht mes nesh. Megjithatë, njerëzit e mëdhenj nuk maten me vitet që jetojnë, por me gjurmët që lënë pas. E ti ke lënë gjurmë të pashlyeshme, ke lënë vepra që flasin, kujtime që nuk treten dhe një boshllëk që për mua nuk mund të mbushet kurrë.
Miku im, koha nuk i harron njerëzit që jetën e tyre ia kushtuan të mirës së përbashkët. Ajo vetëm sa e bën më të çmuar kujtimin e tyre. Prandaj, edhe pas gjashtë vjetësh, emri yt vazhdon të jetojë në zemrat e atyre që të njohën, të vlerësuan dhe patën fatin të bashkëveprojnë me ty, në veçanti ata në ITKSH.
Të kujtoj me mall dhe të përkujtoj me krenari për çdo vepër e kontribut që le pas. U prehtë në paqe shpirti yt, miku-vëllai im i paharruar, Dr. Naim Alimi. Zoti të mëshiroftë, të faltë dhe të shpërbleftë me Parajsl-Xhenetin Firdeus, atje ku shpirtrat e mirë gjejnë paqen e përjetshme.
Miqësia jonë nuk përfundoi me ndarjen tënde nga kjo botë. Ajo vazhdon të jetojë në kujtimet e mia, ndërsa vepra jote do të jetojë në brezat që do të vijnë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty!

