Në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës do të realizohet një projekt infrastrukturor që parasheh mbulimin e kanalit të hapur përgjatë rrugës, në pjesën e sipërme pranë xhamisë, si dhe krijimin e vendeve shtesë për parkim, raporton TVFesta.mk.
Lajmin e ka bërë të ditur Erkan Arifi përmes një postimi publik, ku ka theksuar se projekti do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Likovës dhe Shoqatës së Mërgimtarëve të fshatit Sllupçan.
Sipas Arifit, siç informon tvfesta qëllimi i ndërhyrjes është përmirësimi i kushteve infrastrukturore në këtë pjesë të fshatit, duke mbuluar kanalin ekzistues dhe duke e shfrytëzuar hapësirën e krijuar për parkimin e automjeteve.
“Qëllimi i këtij projekti është mbulimi i kanalit të hapur që gjendet përgjatë rrugës, në pjesën e sipërme te Xhamia, si dhe shfrytëzimi i hapësirës së krijuar për sigurimin e vendeve shtesë të parkimit”, ka shkruar Arifi.
Ai ka sqaruar se Komuna e Likovës do të mbulojë të gjitha shpenzimet për materialet e nevojshme, ndërsa Shoqata e Mërgimtarëve të Sllupçanit do të kontribuojë me punën fizike për realizimin e projektit.
“Komuna e Likovës do t’i sigurojë të gjitha shpenzimet për materialet e nevojshme, ndërsa Shoqata e Mërgimtarëve do të kontribuojë me punën fizike”, ka theksuar ai.
Arifi ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe mërgatës për realizimin e projekteve në interes të banorëve.
“Bashkëpunimi dhe solidariteti janë çelësi i realizimit të projekteve në të mirë të qytetarëve tanë!”, ka përfunduar Erkan Arifi. /tvfesta

