KUMANOVË

Vazhdon rekonstruimi i rrugës “Industriska” në Kumanovë, investimi arrin në rreth 1.2 milionë euro

Në Kumanovë po vazhdojnë punimet për rekonstruimin e plotë të rrugës “Industriska”, një nga rrugët më të mëdha dhe më të gjera të qytetit, e cila ka rëndësi të veçantë për qarkullimin dhe lidhjen e zonës industriale, raporton tvfesta.mk

Aktualisht, ekipet e angazhuara në terren po punojnë në largimin e shtresës së vjetër të asfaltit dhe ndërtimin e shtigjeve të reja për këmbësorët.

Për ecurinë e punimeve ka informuar kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili ka bërë të ditur se aktivitetet ndërtimore po vazhdojnë në terren.

Projekti parasheh rindërtimin e plotë të sipërfaqes rrugore, ndërtimin e trotuareve të reja, vendosjen e skajoreve prej betoni, përgatitjen e një shtrese të re bazë dhe asfaltimin në disa shtresa.

Gjithashtu, në kuadër të këtij investimi është paraparë edhe rregullimi i sistemit për largimin e ujërave atmosferike, përmes ndërtimit të një sistemi të ri kullimi dhe vendosjes së pusetave për grumbullimin e ujërave.

Vlera e kontratës për realizimin e këtij projekti është rreth 75.8 milionë denarë, përkatësisht afërsisht 1.23 milionë euro, përfshirë TVSH-në.

Rruga “Industriska” konsiderohet një nga arteriet e rëndësishme të komunikacionit në Kumanovë, pasi mundëson qarkullimin e automjeteve dhe lidhjen me objektet dhe bizneset që veprojnë në pjesën industriale të qytetit.

Me përfundimin e punimeve pritet të përmirësohen kushtet e qarkullimit për automjetet dhe këmbësorët, të rritet siguria në komunikacion dhe të mundësohet lidhje më e mirë infrastrukturore me zonën industriale të Kumanovës. /tvfesta