Zëvendësministri i Arsimit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulejmani në emisionin “Debat në Shenja”, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykata Kushtetuese, lidhur me emrat e rrugëve në Tetovë, duke kritikuar mënyrën se si janë trajtuar këto çështje në të kaluarën.
Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se sipas tij, kjo gjykatë është “dorë e zgjatur e pushtetit të kaluar”.
Sipas Sulejmanit, ekzistojnë fakte dhe argumente që dëshmojnë ndikimin politik në këtë institucion, duke përmendur deklaratat e anëtarit shqiptar në këtë gjykatë, Kadri Osmani, që ka pranuar se është zgjedhur nga BDI.
“Parimisht, qeveria nuk duhet të përzihet në gjykata. Deklarata e tij është skandaloze”, ka thënë Sulejmani.
Ai u shpreh se gjatë periudhës së qeverisjes së BDI-së nga viti 2007 e tutje, nuk janë sjellë zgjidhje të qëndrueshme dhe të plota ligjore për emërtimet e rrugëve dhe shesheve.
“Prej vitit 2007 deri kur BDI ka qeverisur nuk është sjellë me Badenter. Pra pushteti i kaluar ka sjellë gjysmë zgjidhje. Këshilli do të shqyrtojë situatën. Sa i përket vendimit konkret pse ishte sheshi ‘Iliria’ dhe tani ‘Marshal Tito’, në realitet asnjëherë nuk ka qenë ‘Ilira’”, deklaroi ai, duke shtuar se tani do të sjellin vendime të plota ligjore dhe nuk do të shfuqizohen nga Gjykata.

