LAJME

Dogana bllokon 2.8 tonë kripë të pajodizuar, Mustafa Dauti: Parandaluam tentativë për mashtrim

Drejtoria e Doganave e Maqedonisë së Veriut ka parandaluar një tentativë për futjen e paligjshme të 2.8 tonëve kripë të pajodizuar në vend, e cila ishte deklaruar si kripë industriale, raporton tvfesta.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, i cili ka njoftuar se rasti është zbuluar nga nëpunësit e Njësisë Doganore Shkup 3, gjatë kontrolleve të rregullta të mallrave të importuara.

Sipas Dautit, importuesi, një kompani që merret me prodhimin e produkteve ushqimore, kishte deklaruar se sasia prej 2.8 tonësh kripë do të përdorej për qëllime industriale.

Megjithatë, gjatë kontrolleve të detajuara, nëpunësit doganorë kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet dokumentacionit të paraqitur dhe përmbajtjes reale të ngarkesës.

Zëvendësdrejtori Mustafa Dauti ka theksuar se kontrollet doganore nuk kanë për qëllim vetëm parandalimin e mashtrimeve gjatë importit, por edhe mbrojtjen e shëndetit publik.

“Po mbrojmë edhe shëndetin e qytetarëve. Legjislacioni në Maqedoninë e Veriut përcakton detyrimin për përdorimin e kripës së jodizuar në ushqim, duke pasur parasysh rreziqet që paraqet konsumimi i kripës pa jod për shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Dautit.

Pas zbulimit të rastit, ndaj personave të dyshuar është iniciuar procedurë përkatëse ligjore.

Ndërkohë, me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e gjithë sasia prej 2.8 tonësh kripë të pajodizuar është asgjësuar në deponinë “Drislla”.

Nga Drejtoria e Doganave theksojnë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim parandalimin e parregullsive gjatë importit, zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e interesit publik. /tvfesta