Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhës, Arsim Idrizi, ka marrë pjesë në konferencën shkencore “Kongresi i Manastirit mes së djeshmes dhe së sotmes”, të organizuar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, raporton tvfesta.mk.
Konferenca është mbajtur më 19 nëntor, në ambientet e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës në Shkup, ku profesorë, intelektualë dhe studiues kanë diskutuar për rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe rolin e gjuhës shqipe në shoqërinë bashkëkohore.
Përmes një publikimi, Idrizi ka theksuar se kjo ngjarje përbën një mundësi të rëndësishme për të rikujtuar vlerat historike, kulturore dhe kombëtare të alfabetit shqip.
Në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhës, ai ka vënë theksin te respektimi dhe zbatimi i të drejtave gjuhësore të qytetarëve.
“Respektimi i gjuhës shqipe është e drejtë e qytetarëve dhe përgjegjësi e institucioneve”, ka theksuar Idrizi, duke nënvizuar përkushtimin për mbikëqyrjen, promovimin dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha fushat ku kjo e drejtë garantohet me ligj.
Në konferencë, me kumtesa shkencore janë paraqitur profesorë dhe studiues të ndryshëm, të cilët kanë trajtuar tema që lidhen me Kongresin e Manastirit dhe zhvillimin e gjuhës shqipe ndër vite.
Me fjalë përshëndetëse janë drejtuar edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, si dhe prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore në Universitetin Nënë Tereza, Fati Iseni.
Në fund, Idrizi ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit për kontributin e tyre në diskutimet shkencore dhe angazhimin për ruajtjen, zhvillimin dhe avancimin e gjuhës shqipe.
Konferenca është organizuar në prag të 22 Nëntorit, datë që shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u hodhën themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. /tvfesta

