Sektori për Parandalim dhe Stacioni Policor me Kompetencë të Përgjithshme në Kumanovë realizuan sot një aktivitet parandalues me qëllim informimin e qytetarëve për mbrojtjen nga vjedhjet e çantave, informon tvfesta.mk
Gjatë këtij aktiviteti, udhëheqësja e Sektorit për Parandalim pranë SPB Kumanovë, M.Sc. Lile Mlladenovska, u bëri thirrje qytetarëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm në këtë periudhë kur ka një fluks më të madh njerëzish në tregje dhe në pikat ku shiten produkte për sezonin e dimrit.
Nga SPB Kumanovë theksojnë se qytetarët duhet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në Tregun e Gjelbër, në tregun e fshatit Kojnare e Poshtme, si dhe në vende të tjera me frekuencë të lartë, në shitoret e pemëve e perimeve dhe në pikat e ndryshme të shitjes.
„Në këtë periudhë kur ka lëvizje dhe frekuencë të shtuar në të gjitha tregjet, shitoret e pemëve e perimeve dhe pikat ku shiten produkte për sezonin e dimrit, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’i mbrojnë kuletat e tyre në mënyrë të përshtatshme. Po ashtu, apelojmë që të mos mbajnë me vete sasi të mëdha parash në tregje dhe në vende me shumë njerëz, ku personat e panjohur shfrytëzojnë pakujdesinë për të kryer vjedhje”, deklaroi udhëheqësja Mlladenovska, raporton tvfesta.
Gjatë këtij aksioni parandalues, policia u shpërndau qytetarëve fletëpalosje informuese dhe njoftime me këshilla praktike për t’u mbrojtur nga ky lloj i veprave penale. /tvfesta



