RAJON & BOTA

Sulejmani takon drejtoreshën e Fondacionit Evropian për Trajnime (ETF), znj. Pilvi Torsti

Në kuadër të Samitit Global të Aftësive 2026 (Torino Global Skills Summit), që po mbahet në Torino të Italisë, zhvillova një takim me drejtoreshën e Fondacionit Evropian për Trajnime (ETF), znj. Pilvi Torsti.

Gjatë takimit diskutuam për temat kryesore të samitit, sfidat globale në zhvillimin e aftësive, si dhe përpjekjet dhe reformat që Maqedonia e Veriut po ndërmerr për ndërtimin e një sistemi arsimor që u përgjigjet nevojave të tregut të punës, zhvillimit teknologjik, ndryshimeve demografike dhe tranzicionit të gjelbër.

Në vazhdën e çështjeve që prezantova gjatë pjesëmarrjes sime si panelist në këtë samit, theksova rëndësinë e forcimit të arsimit dhe aftësimit profesional, zgjerimit të arsimit dual, në të cilin sot janë të përfshira mbi 1.000 kompani, avancimit të Qendrave Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional, orientimit në karrierë dhe promovimit të të nxënit gjatë gjithë jetës.

Vëmendje të veçantë i kushtuam rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit, me qëllim ngushtimin e hendekut ndërmjet aftësive që fitojnë të rinjtë dhe nevojave reale të ekonomisë.

Bashkëpunimi me Fondacionin Evropian për Trajnime dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e reformave arsimore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Synimi ynë është të ndërtojmë një sistem arsimor që jo vetëm u përgjigjet sfidave të së tashmes, por edhe i përgatit brezat e rinj për mundësitë dhe profesionet e së ardhmes.