LAJME

Aksident i rëndë në autostradën Shkup–Kumanovë, 61-vjeçari goditet nga vetura pasi ndaloi për shkak të defektit

Dy persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej tyre rëndë, si pasojë e një aksidenti trafiku në autostradën Shkup–Kumanovë, në afërsi të fshatit Rramanli, raporton tvfesta.mk.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti ka ndodhur më 19 nëntor 2026, rreth orës 10:15, kur një automjet i tipit “Citroën”, me targa të Kumanovës, i drejtuar nga P.T. (44) nga Kumanova, ka goditur një person që kishte ndaluar automjetin e tij për shkak të një defekti.

Bëhet fjalë për N.M. (61) nga Kumanova, i cili më parë kishte ndaluar automjetin e tij të tipit “Volkswagen Passat”, gjithashtu me targa të Kumanovës, për shkak të një problemi teknik.

Sipas policisë, automjeti “Citroën” fillimisht ka goditur 61-vjeçarin, e më pas është përplasur edhe me veturën e tij të ndaluar.

Si pasojë e aksidentit, N.M. ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa drejtuesi i automjetit “Citroën”, P.T., ka marrë lëndime trupore.

Lëndimet e të dy personave janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës.

Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, i cili ka kryer ekspertizën për dokumentimin e rrethanave të aksidentit. /tvfesta