KUMANOVË

Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë pranon donacion nga “Inner Wheel Club”

SHP Shtëpia e Shëndetit – Kumanovë është bërë me pajisje të reja mjekësore falë një donacioni nga organizata humanitare “Inner Wheel Club Kumanovë”. Donacioni përfshin dy aparate të rëndësishme diagnostikuese: një podoskop dhe një peshore për përcaktimin e indeksit të masës trupore (BMI), informon tvfesta.mk

Lajmin për tvfesta.mk e ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Sedat Zulbeari, i cili ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë gjest humanitar dhe për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i jep komunitetit.

Pajisjet e reja do t’i dedikohen Shërbimit për mbrojtje shëndetësore preventive, përkatësisht Repartit për kontrolle sistematike të fëmijëve të mosshës shkollore.

“Ky donacion kontribuon drejtpërdrejt në kontrolle edhe më të sakta, parandalim adekuat dhe mbrojtje të shëndetit e zhvillimit të më të vegjëlve tanë. Ju falënderojmë për humanizmin, përgjegjësinë shoqërore dhe mbështetjen e vazhdueshme për komunitetin tonë,” ka deklaruar drejtori Zulbeari.

Përmes këtij investimi, Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë rrit cilësinë e shërbimeve mjekësore preventive për nxënësit, duke mundësuar detektimin e hershëm të deformimeve të shputave dhe monitorimin e saktë të zhvillimit fizik të fëmijëve./tvfesta