KUMANOVË

Blerim Hyseni alarmon për udhëkryqin te Tregu i Gjelbër: Semaforët pa drita, nxënësit të rrezikuar

Kaosi në trafikun rrugor dhe mungesa e sinjalistikës adekuate gjatë sezonit veror kanë qenë në fokus të diskutimit në seancën e 17-të të Këshillit Komunal të Kumanovës, njofton Tv Festa.

Këshilltari nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Blerim Hyseni, i është drejtuar përsëri me një replikë komandantit të Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, duke ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e semaforëve në pikat më të ngarkuara të qytetit.

Hyseni vuri në dukje se megjithëse raporti i policisë përmban shifra inkurajuese, gjendja në terren, veçanërisht te tregu i gjelbër, mbetet problematike.

„A ju ka informuar komuna se nuk posedon mjete financiare për të blerë poçe elektrike nëpër semaforë? Në pikën e vlugut të verës, ku të gjithë mërgimtarët ishin këtu dhe komunikacioni ishte i ngjeshur si asnjëherë më parë, semaforët tek tregu i gjelbër nuk kanë funksionuar që një muaj sepse u dogjën poçet elektrike. Gjatë gjithë verës në këtë udhëkryq nuk kam parë zyrtarë policorë të orientojnë trafikun. Aty shoh vetëm karrotrecin që pa ndërprerë merr makina. Përshëndesim pastrimin e rrugëve për mbarëvajtjen e komunikacionit, por për të ardhur deri te karrotreci duhet të merren edhe masa të tjera“, raporton tvfesta.mk duke cituar fjalën e Hysenit.

Më tej, këshilltari i AKI-së nëvizoi se ngarkesa është rritur akoma më shumë me ndërtimin e qendrës tregtare “La Plaza Mall” dhe fillimin e vitit të ri shkollor. Ai rikujtoi se premtimi për kalimin e nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në objektin e ri u avullua si premtimet e tjera, gjë që kërkon kujdes të shtuar për sigurinë e fëmijëve.

„Atij udhëkryq i mbivendoset lëvizja e tregut, nxënësve të shkollës fillore ‘Bajram Shabani’ dhe shkollave të mesme. Ju lutem që deri sa të rregullohen semaforët, ai udhëkryq të jetë nën mbikëqyrje ose policët të orientojnë komunikacionin kur nxënësit shkojnë në shkollë. Në orët e pasdites kur përfundon mësimi, motocikletat kalojnë me shpejtësi të madhe dhe me të drejtë qytetarët pyesin se a ka apo nuk ka zyrtarë policorë ky qytet“, deklaroi Blerim Hyseni, informon Tv Festa.

Këshilltari i AKI-së e përmbylli fjalën e tij me shpresën se këto çështje në të ardhmen nuk do të ketë nevojë të diskutohen më dhe se do të marrin zgjidhje të shpejtë nga autoritetet policore e komunale.