Kritika të ashpra ndaj funksionimit dhe nivelit të transparencës së Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë janë adresuar gjatë seancës së 17-të të Këshillit Komunal nga këshilltari opozitar nga radhët e AKI-së, Blerim Hyseni, gjatë fjalës së tij i është drejtuar drejtpërdrejt komandantit të Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, duke e cilësuar si mjaft dëshpëruese mënyrën se si ky institucion i përgjigjet pyetjeve të këshilltarëve dhe qytetarëve, raporton tvfesta.mk
Hiseni ka sjellë në vëmendje një përgjigje zyrtare që kishte marrë lidhur me pyetjet e parashtruara që nga seanca e 8-të e këshillit, të cilat kishin të bënin me incidentin gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë.
„Më vjen keq që dua të filloj diskutimin me një aspekt dëshpërues nga veprimtaria e SPB Kumanovë. Në përgjigjen e pyetjeve të mia, udhëheqësi në njërën anë thotë se nuk ka pasur asnjë incident, ndërsa në dy faqe të tjera më jepet një procesverbal i njerëzve të marrë në pyetje. Kjo përgjigje, e shkruar madje me dorë, është turp t’i jepet një qytetari, e lëre më një këshilltari komunal nga një institucion që duhet të garantojë sigurinë e qytetit“, raporton tvfesta.mk duke cituar fjalën e Hysenit.
Ndër të tjera, këshilltari i Bashkimit Demokratik për Integrim sqaroi se dokumenti mban nënshkrimin e paraardhësit të komandantit të tanishëm, por i bëri thirrje udhëheqësisë aktuale që të jetë më vigjilente për të ruajtur imazhin e policisë si një institucion serioz.
Sipas Hysenit, ky rast shpërfaq qartë mungesën e qasjes reale në informata me karakter publik. Ai ngriti shqetësimin se nëse një këshilltar komunal merr përgjigje të këtij niveli, një qytetar i thjeshtë vështirë se do të merrte ndonjëherë përgjigje.
Hyseni kujton se përkundër premtimeve të pushtetit për transparencë, realiteti në terren tregon krejt të kundërtën, informon Tv Festa.

