SPORT

KF Bashkimi i tregon “dhëmbët” Vardarit, nga epërsia 2:0 te barazimi heroik 3:3

Një ndeshje “e çmendur” dhe pa dyshim më e mira e këtij sezoni në elitën e futbollit vendës është zhvilluar sot në stadiumin e Kumanovës. Përpara një tribune të stërmbushur me tifozë dhe në një atmosferë vërtet “ferri”, KF Bashkimi i tregoi forcën kampionit në fuqi, Vardarit, duke marrë një pikë tejet të madhe e të merituar në barazimin spektakolar 3:3, raporton tvfesta.mk

Përballja dhuroi të gjitha emocionet e mundshme të një derbi: dominim kumanovar, përshkallëzim me gola, përmbysje nga mysafirët dhe një finale me hero të ri nga stoli.

KF Bashkimi e nisi ndeshjen si në ëndrra. Në minutën e 21-të, pas një goditjeje të këndit të ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer, Fati Ismaili u ngrit mbi mbrojtësin Filip Najdovski dhe me një goditje të fuqishme me kokë çoi peshë stadiumin për 1-0. Shock-u për Vardarin u thellua në minutën e 33-të, një top i gjatë në thellësi gjeti Antonio Da Silva Sancën, i cili me shpejtësi dhe klas shmangti edhe portierin Taleski për ta dërguar topin në rrjetën e zbrazët për 2-0. Mysafirët arritën të ngushtonin diferencën në minutën e 37-të me një goditje të saktë të David Babunskit (2-1).

Në pjesën e dytë, Vardari shfrytëzoi përvojën e tij. Goran Zakarić u bë protagonisti kryesor i mysafirëve duke realizuar dy gola me këmbën e majtë – fillimisht në minutën e 70-të për 2-2 pas një goditjeje në këndin e largët të portierit Stojkovski, dhe vetëm dy minuta më vonë (72′) pas asistimit nga Edis Spahiu për përmbysjen e rezultatit në 2-3.

Pavarësisht kësaj përmbysjeje dhe momenteve të tensionuara me VAR-in që anuloi një karton të kuq për mysafirët, KF Bashkimi nuk u dorëzua asnjë sekondë. Shpërblimi për karakterin e pashoq erdhi në minutën e 86-të, pas një aksioni të shpejtë nga e djathta, topin në zonë e priti zëvendësuesi Hebib Saiti, i cili reagoi në mënyrë fantastike nga afërsia duke mposhtur portierin Taleski për 3-3.

Me këtë barazim me shije fitoreje, KF Bashkimi dëshmoi se në shtëpinë e vet para tifozëve kumanovarë mund të përballet si i barabartë me secilin kundërshtar në kampionat./tvfesta