OPINIONE

ILINDENI DHE REPUBLIKA E KRUSHEVËS: A PO E PASQYRON PËRKUJTIMI ZYRTAR TË VËRTETËN HISTORIKE?

ILINDENI DHE REPUBLIKA E KRUSHEVËS: A PO E PASQYRON PËRKUJTIMI ZYRTAR TË VËRTETËN HISTORIKE?

Shkruan: Halil Krasniqi

Çdo 2 Gusht, në Maqedoninë e Veriut përkujtohet Kryengritja e Ilindenit si një nga ngjarjet më të rëndësishme të së kaluarës së vendit. Megjithatë, lind një pyetje që meriton debat: a e paraqet kujtesa zyrtare këtë ngjarje në tërësinë e saj, apo vetëm një pjesë të saj?

Burime të ndryshme arkivore dhe studime të historianëve dëshmojnë se në Kryengritjen e Ilindenit morën pjesë edhe shqiptarë, vllehë dhe bullgarë, të cilët patën rol në përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e saj.

Sipas burimeve të periudhës, në organet përfaqësuese të Republikës së Krushevës morën pjesë gjithsej 60 delegatë: 20 shqiptarë, 20 vllehë dhe 20 bullgarë. Shqiptarët ishin të pranishëm edhe në qeverinë e përkohshme të kësaj Republike. Në burimet e kohës përmenden Pjetër Guri si komandant i një njësie luftarake, ndërsa Nikollë Boljari dhe Gjorgji Qaçe si anëtarë të Qeverisë së Republikës së Krushevës.

Këto të dhëna, të mbështetura në materiale nga arkivat e Stambollit, Sofjes, Shkupit dhe burime të tjera, tregojnë se Kryengritja e Ilindenit kishte karakter shumëetnik dhe se Republika e Krushevës u mbështet në pjesëmarrjen e disa bashkësive që jetonin në atë hapësirë.

Gjithashtu, në burimet e kohës gjenden kërkesa për ndihmë drejtuar autoriteteve bullgare nga disa prej udhëheqësve të kryengritjes. Kjo tregon ndërlikueshmërinë politike të asaj periudhe dhe dëshmon se Ilindeni nuk mund të shpjegohet vetëm përmes një këndvështrimi të vetëm.

Nga faktet e njohura del se Republika e Krushevës ishte një përpjekje për një organizim të përbashkët politik, ku shqiptarët, vllehët dhe bullgarët u përfshinë në strukturat e saj. Pikërisht ky karakter i përbashkët është një nga elementet më të rëndësishme të kësaj ngjarjeje. Kur ky realitet anashkalohet, rrezikohet të humbasë kuptimi i plotë i saj dhe roli i pjesëmarrësve të ndryshëm të mbetet në hije.

Këtu lind pyetja: përse në ceremonitë dhe paraqitjet zyrtare pothuajse nuk përmendet roli i shqiptarëve, vllehëve dhe bullgarëve? Përse pjesëmarrja dhe sakrifica e tyre nuk zënë vendin që u takon në kujtesën institucionale?

Nëse burimet dëshmojnë se Republika e Krushevës kishte një përfshirje të përbashkët të këtyre bashkësive, atëherë edhe mënyra e përkujtimit duhet ta pasqyrojë këtë realitet. Pranimi i këtyre fakteve nuk ia zvogëlon askujt rëndësinë historike; përkundrazi, e bën interpretimin më të plotë dhe më të besueshëm.

E kaluara nuk mund të ndërtohet duke zgjedhur vetëm ato pjesë që i shërbejnë një qëllimi politik. Ajo duhet të mbështetet në dëshmi, burime dhe fakte, duke u dhënë vendin e merituar të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në zhvillimet e kohës.

Në një shoqëri demokratike dhe shumetnike, kujtesa historike nuk duhet të jetë burim ndarjeje, por bazë për mirëkuptim. Maqedonia e Veriut është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe rrëfimi për të kaluarën duhet të përfshijë të gjitha bashkësitë që kanë qenë pjesë e saj.

Pranimi i rolit të shqiptarëve, vllehëve, bullgarëve dhe i pjesëmarrësve të tjerë në Kryengritjen e Ilindenit nuk i heq asgjë askujt. Përkundrazi, ai e forcon besueshmërinë e kujtesës historike, ndërton besim ndërmjet komuniteteve dhe krijon një bazë më të mirë për të ardhmen.

Një mënyrë përkujtimi që paraqet vetëm një këndvështrim të kufizuar rrezikon të humbasë thelbin e kësaj kryengritjeje, e cila ishte pjesë e një realiteti të ndërlikuar politik dhe shoqëror të kohës. Për ta kuptuar drejt këtë periudhë, duhet të shihen të gjitha përmasat dhe të gjithë aktorët që kanë qenë pjesë e saj.

Një përkujtim i drejtë duhet të bashkojë dhe jo të ndajë; duhet të mbështetet në fakte dhe të respektojë të gjitha kontributet që kanë formësuar këtë kapitull të së kaluarës…