Shkruan: Halil Krasniqi
Kush qëndron pas këtyre akteve: Një mendje, një qëllim, një dorë në veprim?
Në një shoqëri demokratike, siguria nuk matet vetëm me mungesën e konflikteve, por edhe me aftësinë e institucioneve për të reaguar në mënyrë të barabartë ndaj çdo akti që cenon rendin, jetën dhe bashkëjetesën e qytetarëve.
Grafitet në Kumanovë me mbishkrime si “Vdekje shqiptarëve”, si dhe thirrjet antishqiptare në ndeshje sportive, nuk janë thjesht akte vandalizmi. Ato përbëjnë gjuhë urrejtjeje dhe sulm ndaj bashkëjetesës ndëretnike. Megjithatë, në shumë raste mungon reagimi i vendosur institucional, autorët mbeten të paidentifikuar dhe çështjet mbyllen pa një epilog të qartë.
Në të njëjtën kohë, për raste të tjera, si mbishkrimet me simbole të UÇK-së në objektin e Shoqërisë Kulturo-Artistike Serbe “Srpski Vez” në Kumanovë, reagimi i institucioneve lokale dhe shtetërore ka qenë i menjëhershëm dhe me jehonë të madhe publike. Ky kontrast krijon përshtypjen e standardeve të ndryshme në trajtimin e rasteve që cenojnë rendin dhe sigurinë.
Shqetësim të madh ka ngritur edhe rasti i dyshimeve për ndotjen apo helmimin e ujit të pijshëm në Gostivar. Kur vihet në rrezik një burim jetik për qytetarët, çështja nuk mund të trajtohet vetëm si problem teknik, por edhe si çështje e sigurisë publike.
Fakti që qytetarë u prekën në shëndet dhe kërkuan trajtim mjekësor kërkon hetim të plotë, transparencë dhe përgjigje të qarta. Mbrojtja e ujit të pijshëm lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe shëndetin e popullsisë.
Rajoni ynë ka përjetuar edhe ngjarje të tjera të rënda, si dëmtimi i kanalit Ibër–Lepenc, nga i cili furnizohet me ujë një pjesë e qytetarëve të Mitrovicës. Edhe pse bëhet fjalë për raste të ndryshme, ato dëshmojnë se siguria e infrastrukturës kritike mbetet një çështje e ndjeshme dhe se çdo incident me pasoja të mëdha duhet të hetohet me seriozitet, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Opinionin publik e kanë tronditur edhe tragjedia në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën shumë pacientë, si dhe tragjedia në Koçan, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë, kryesisht të rinj. Po ashtu, debat publik kanë shkaktuar edhe procese gjyqësore që një pjesë e opinionit i konsideron të montuara politikisht dhe që, sipas kritikëve, kanë përfunduar me dënime të rënda. Edhe pse rrethanat e këtyre rasteve janë të ndryshme, ato kanë një kërkesë të përbashkët: përgjegjësi, transparencë dhe drejtësi.
Kur ngjarje të tilla përsëriten, lind natyrshëm pyetja: a kemi të bëjmë me incidente të izoluara apo me një model që kërkon vëmendje më të madhe nga institucionet? A ekziston ndonjë lidhje mes disa prej këtyre rasteve, apo bëhet fjalë për ngjarje të pavarura? Këto janë pyetje legjitime që meritojnë përgjigje përmes hetimeve profesionale dhe të pavarura.
Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe ndodhet në një etapë të rëndësishme historike. Anëtarësimi në aleancën më të fuqishme të sigurisë në botë dhe orientimi strategjik drejt Bashkimit Evropian kanë krijuar një realitet të ri gjeopolitik në rajon. Megjithatë, çdo ndryshim i madh gjeopolitik shoqërohet edhe me përplasje interesash dhe përpjekje për të ndikuar në zhvillimet politike e shoqërore.
Pikërisht për këtë arsye lind pyetja nëse ndikime të ndryshme, të brendshme apo të jashtme, përpiqen të ndikojnë në ritmin dhe drejtimin e proceseve politike në vend. Historia e Ballkanit tregon se periudhat e mëdha të ndryshimeve kanë qenë shpesh të shoqëruara me tensione dhe përplasje interesash.
Një pyetje tjetër që meriton reflektim është: sa ngjarje të rënda kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e saj e deri më sot pa marrë një zbardhje të plotë? Janë të shumta rastet që kanë lënë pas viktima, kanë tronditur opinionin publik dhe vazhdojnë të mbeten të rrethuara nga pikëpyetje.
Kjo na çon në një reflektim edhe më të thellë: a jetojmë sot në një Maqedoni të Veriut plotësisht demokratike, ku sundon ligji dhe institucionet veprojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë, apo ende shihen gjurmë të praktikave të trashëguara nga sistemi i dikurshëm jugosllav, ku shumë procese mbeteshin pa zbardhje të plotë dhe e vërteta nuk dilte gjithmonë në dritë?
Pse disa ngjarje që krijojnë pasiguri dhe tensione nuk marrin gjithmonë një epilog të plotë institucional? A kemi të bëjmë vetëm me raste të veçanta, apo me pengesa që ndikojnë në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën euroatlantike që ka zgjedhur vendi?
Një shtet demokratik nuk matet vetëm me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por mbi të gjitha me aftësinë për të garantuar sundimin e ligjit, transparencën dhe barazinë para drejtësisë. Çdo akt që cenon sigurinë, bashkëjetesën dhe stabilitetin duhet të hetohet deri në fund, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike.
Heshtja institucionale nuk ndërton besim. Transparenca, përgjegjësia dhe zbatimi i barabartë i ligjit janë themeli i një demokracie funksionale.
Në fund, mbetet pyetja që kërkon përgjigje: kush përfiton nga tensionet, pasiguria dhe rastet që mbeten pa u zbardhur? Përgjigjja nuk mund të vijë nga spekulimet, por vetëm nga hetimet e plota, institucionet e pavarura dhe sundimi i ligjit. Vetëm kështu qytetarët mund të rifitojnë besimin se shteti vepron njësoj për të gjithë…

