Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin e gjerë se dy vite nga formimi i qeverisë pa legjitimitet etnik te shqiptarët, po dëshmohet çdo ditë se paralajmërimet tona kanë qenë të drejta. Kjo qeveri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda në dëm të karakterit multietnik të shtetit, të pozitës së shqiptarëve dhe të vet frymës së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Mëkati i parë politik i VLEN-it ishte mosrespektimi i vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Si humbës në kampin politik shqiptar, VLEN u fut në qeveri pa legjitimitetin e nevojshëm politik dhe etnik, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve.
Që në ditët e para të kësaj qeverie, shqiptarët u përballën me goditje të drejtpërdrejta. Përmes vendimeve të ministrit Minçev, përqindja e shqiptarëve u zvogëlua nga 29.5% në 24.3%, ndërsa VLEN heshti përballë këtij akti. Po ashtu, ndalimi i përdorimit të flamurit shqiptar nga përfaqësues të shqiptarëve nuk hasi në asnjë reagim serioz nga ata që pretendojnë se mbrojnë interesat shqiptare.
Një nga koncesionet më të rënda të VLEN-it ishte dorëzimi i çështjeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit në duart e partnerëve të tyre qeveritarë, përfshirë edhe Ivan Stoilkoviçin, politikanin pro-rus dhe pro-serb, i cili sot jep tone për çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve.
Paralelisht, Gjykata Kushtetuese ka ndërmarrë një ofensivë të pandërprerë kundër të arriturave të shqiptarëve. Fillimisht u shfuqizua mekanizmi i balancuesit, duke lënë jashtë funksionit Amendamentin VI të Kushtetutës dhe duke goditur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Për dy vite me radhë vazhdojnë përpjekjet për goditjen e statusit të gjuhës shqipe, ndërsa janë përgatitur referate voluminoze për abrogimin e dispozitave kyçe të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Po ashtu, diaspora shqiptare u përjashtua nga përllogaritjet që ndikojnë drejtpërdrejt në përfaqësimin institucional dhe lokal. Si pasojë e fshirjes së qytetarëve jorezidentë nga kalkulimet përkatëse, u zvogëlua numri i këshilltarëve komunalë në shumë komuna shqiptare, duke dëmtuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.

