Deputeti i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ilir Hasani, ka kritikuar ashpër qasjen e partive maqedonase lidhur me çështjen e dyshtetësisë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe diskriminuese ndaj një pjese të qytetarëve.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Click Plus” në TV21, Hasani deklaroi se në të gjitha rajonet kufitare të vendit ka qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme që posedojnë shtetësi të dyfishtë, duke theksuar se kjo është një realitet që nuk mund të injorohet.
Ai vlerësoi se debatet e brendshme mes partive maqedonase po reflektohen në mënyrë të padrejtë mbi komunitetet tjera, ndërsa përdori një gjuhë kritike për të përshkruar situatën.
“Të diskriminohen gjithë këta qytetarë që duan të kontribuojnë për të mirën e këtij vendi është e papranueshme. Maqedonët mes vete kanë hyrë në konflikt dhe duan të na e lënë neve barrën,” u shpreh Hasani, duke nënvizuar se zgjidhja e çështjes së shtetësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe jo transferim të përgjegjësisë politike.(INA)

