Kumanovë – Këshilltari komunal Huzeir Mustafi ka reaguar ashpër pas votimit të sotëm në Këshillin Komunal, ku u miratuan përbërjet e reja të këshillave drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve komunale.
Sipas Mustafit, nga gjithsej 59 anëtarë të emëruar në këto struktura, vetëm 7 janë shqiptarë, një përqindje që ai e cilësoi si më të ulëtën ndër vite.
“Kurrë më dobët nuk ka qenë përfaqësimi. Nga 59 anëtarë në këshillat drejtuese dhe mbikëqyrëse, vetëm 7 janë shqiptarë. Ky është një regres i qartë dhe i papranueshëm”, theksoi Mustafi.
Ai shtoi se vendimi u votua me mbështetjen e shumicës, përfshirë edhe këshilltarët e VLEN-it, të cilët, sipas tij, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë rezultat.
Mustafi paralajmëroi se një qasje e tillë dëmton seriozisht balancën etnike dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet lokale, duke kërkuar rishqyrtim të vendimeve dhe respektim të parimeve të barazisë.
Ky zhvillim pritet të nxisë reagime të mëtejshme në opinionin publik dhe në skenën politike lokale në Kumanovë.

