RAJON & BOTA

Sinani: Lugina e Preshevës, plaga më e madhe për të gjithë shqiptarinë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se në Samitin e IV të Diasporës që po mbahet në Tiranë, do të ngrejë çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga Serbia.

Ajo është shprehur e nderuar që po e përfaqëson komunën e Preshevës në hapjen e Samitit të IV të Diasporës që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në këtë ngjarje të rëndësishme mbarëshqiptare, në ceremoninë e hapjes ajo u mirëprit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Në mesin e shumë figurave e personaliteteve të jetës publike e politike në trojet shqiptare, pata nderin të takoj edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Ferit Hoxha”, tha ajo.

Në këtë Samit tre ditor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptar politik e institucional nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e diaspora, në cilësinë e kryetares së Komunës, Sinani tha se do të jetë pjesë e njërit nga 18 panelet që janë paraparë të mbahen.

“Do të jetë përgjegjësi e madhe, sepse në këtë Samit do të përfaqësoj një hapësirë që në hartë mund të jetë shumë e vogël, por që ka peshën më të madhe historike, kombëtare nga të gjitha trojet shqipfolëse. Diskriminimin që po i bëhet nga Beogradi, e i cili tashmë po i vjen Luginës në heshtje, gjatë këtij Samiti do ta rikthej në forcë të përbashkët”, tha ajo.

Këtë diskriminim të heshtur, sipas saj, gjatë këtij Samiti, me ide e hapa konkret, do të kërkoj ta kthejmë në forcë të zhurmshme.

“Lugina e Preshevës, e shtypur dhe diskriminuar, është aktualisht plaga më e madhe për të gjithë shqiptarinë”, ka shkruar Sinani.