Ndërmarrja Publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” në Kumanovë do të përfitojë edhe 3 milionë denarë shtesë, apo rreth 50 mijë euro, për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe sipërfaqeve me lule në disa lokacione të qytetit, raporton tvfesta.mk.
Mjetet shtesë janë paraparë me ribalancimin e buxhetit të Komunës së Kumanovës, në kuadër të ndryshimeve të Programit për Mirëmbajtjen e Gjelbërimit Urban për vitin 2026.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes, Sasho Tomiq, me këto mjete do të zgjerohet përfshirja e aktiviteteve për mirëmbajtjen e gjelbërimit në disa rrugë dhe lagje të qytetit.
“Nëpërmjet ribalancimit të buxhetit sigurohen edhe 3 milionë denarë shtesë, me çka krijohen mundësi për aktivitete në disa rrugë dhe lagje. Bëhet fjalë për hapësirat e gjelbra te ‘Tehnomarket’, rrugët ‘Varazhdinska’, ‘Vidoe Smilevski-Bato’, ‘Gjorçe Petrov’ dhe ‘Bajram Shabani’, si dhe rrugët drejt Satelitit, fshatit Proevcë dhe Kisella Vodës”, ka deklaruar Tomiq.
Ai ka shtuar se për aktivitetet fitopatologjike, që lidhen me mbrojtjen dhe trajtimin e bimëve, janë paraparë edhe 180 mijë denarë shtesë.
Gjatë diskutimit, këshilltarja komunale Marina Manojllovska ka shprehur kritika ndaj mënyrës së mirëmbajtjes së gjelbërimit në Kumanovë, duke vlerësuar se mjetet shtesë mund të shfrytëzohen për mbulimin e pagave të punonjësve dhe jo për përmirësimin e gjendjes në terren.
Sipas saj, qytetarët nuk janë të kënaqur me mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave publike, ndërsa ndërmarrja përballet me mungesë të mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme.
“Fakt është se qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si mirëmbahet gjelbërimi në qytet. E di që keni vullnet, por nuk keni mjete, mundësi dhe as automjete. Prandaj konsiderojmë se këto para janë të dedikuara për paga dhe jo për mirëmbajtje”, ka deklaruar Manojllovska.
Siç informon tvfesta, ajo ka shtuar se, sipas vlerësimit të saj, mirëmbajtja vërehet kryesisht në sheshin kryesor dhe sheshin e vogël të qytetit, ndërsa parqet dhe hapësirat e tjera të gjelbra ndodhen në gjendje të rënduar.
Këshilltarja ka rikujtuar gjithashtu se disa muaj më parë ishte rritur çmimi i shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa tani po ndahen mjete të tjera nga buxheti komunal për ndërmarrjen.
Drejtori Sasho Tomiq nuk është pajtuar me kritikat se gjelbërimi në drejtim të Proevcës dhe Satelitit nuk mirëmbahet.
Ai ka theksuar se në këto zona, sikurse edhe në parqet e tjera të qytetit, kositja e barit realizohet rregullisht.
Tomiq ka paralajmëruar gjithashtu organizimin e aksioneve të mëdha për mbjelljen e drunjve në lokacionet ku gjatë motit të ligë ishin rrëzuar shumë pemë.
Ndërkohë, kryetarja e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Ivana Gjorgjievska, ka shprehur shpresën se mjetet shtesë do të jenë të mjaftueshme për mirëmbajtjen e gjelbërimit deri në fund të vitit.
Ajo ka kërkuar edhe ndërhyrje për mbrojtjen e drunjve të rinj përgjatë bulevardit “Revolucioni i Tetorit”, si dhe masa nga shërbimet komunale dhe Ministria e Punëve të Brendshme ndaj personave që dëmtojnë hapësirat e gjelbra.
Për mirëmbajtjen e gjelbërimit në Kumanovë gjatë vitit 2026 fillimisht ishin paraparë 32 milionë denarë.
Me ndarjen e 3 milionë denarëve shtesë, shuma e përgjithshme do të arrijë në 35 milionë denarë, apo rreth 569 mijë euro.
Për krahasim, gjatë vitit të kaluar për këtë qëllim ishin ndarë 40 milionë denarë, që do të thotë se buxheti i këtij viti, edhe pas rritjes së propozuar, mbetet për 5 milionë denarë më i ulët. /tvfesta

