KUMANOVË

Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova triumfon me katër çmime në Rahovec

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova ka shënuar një tjetër sukses në skenën kulturore shqiptare, duke fituar katër çmime në manifestimin “N’Konakun e Rahovecit”, të mbajtur në Rahovec të Kosovës, raporton tvfesta.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ansambli përmes një njoftimi publik, duke shprehur krenarinë për rezultatet e arritura dhe paraqitjen e artistëve të tij.

Në këtë manifestim, AKV “Bajram Shabani” është vlerësuar me vendin e dytë, ndërsa anëtarët e ansamblit kanë marrë edhe çmime individuale.

Qerim Hamidi është shpallur solisti më i mirë, ndërsa Lindita Purellku ka fituar çmimin për solisten më të mirë.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ka shkuar për orkestrën e ansamblit, e cila është shpallur orkestra më e mirë e manifestimit.

Kështu, ansambli kumanovar është kthyer nga Rahoveci me gjithsej katër çmime, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm në kultivimin dhe promovimin e këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare.

“Karvani i Ansamblit ‘Bajram Shabani’ shkëlqeu edhe një herë si në çdo skenë, duke rrëmbyer katër çmime. Punë, përkushtim dhe dashuri për traditën! Sukses pas suksesi! Vazhdojmë fuqishëm, pa u ndalur!”, thuhet në njoftimin e ansamblit.

Ky sukses përbën një tjetër arritje për Ansamblin “Bajram Shabani”, i cili vazhdon të përfaqësojë Kumanovën përmes muzikës, këngës dhe valles tradicionale shqiptare. /tvfesta