MAQEDONI

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +.

Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t’i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë.
Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona.

Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet.

I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Granit Osmani,
Drejtor i Agjencisë