OPINIONE

VAID SAITI, NJERIU QË NUK I KTHEU SHPINËN ARSIMIT NË DITËT MË TË VËSHTIRA, NJË EMËR QË KOHA NUK E HARRON

VAID SAITI, NJERIU QË NUK I KTHEU SHPINËN ARSIMIT NË DITËT MË TË VËSHTIRA, NJË EMËR QË KOHA NUK E HARRON

Në kujtim të një miku, humanisti dhe mbështetësi të arsimit

Etem Xheladini

Në prag të gjashtëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, me respekt të thellë, mall të pashuar dhe mirënjohje të sinqertë, sjell në kujtesë figurën dhe veprën e mikut tim të çmuar, Vaid Saiti, një emër që la gjurmë të pashlyeshme në arsimin, jetën shoqërore dhe humanizmin e kohës.
Ka njerëz që kalojnë nëpër jetë dhe harrohen me kalimin e viteve, por ka edhe të tillë që, përmes veprës, guximit dhe kontributit të tyre, bëhen pjesë e kujtesës së një brezi. Vaid Saiti ishte një prej tyre.
Ai nuk ishte vetëm miku im, ishte një njeri që dinte ta kuptonte kohën në të cilën jetonte dhe, mbi të gjitha, dinte të vepronte atëherë kur rrethanat kërkonin guxim, përgjegjësi, vendosmëri dhe përkushtim.
Një nga dëshmitë më të fuqishme të këtij qëndrimi ishte mbështetja që Vaid Saiti më dha mua (Etem Xheladinit), për hapjen e tri paraleleve të Gjimnazit, më 7 tetor 1991, në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar. Në atë kohë, kur unë ushtroja detyrën e drejtorit, këto tri paralelet e Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe u hapën pa pëlqimin e pushtetit të atëhershëm. Ishte një kohë kur çdo hap kërkonte guxim dhe vendosmëri, ndërsa çdo përpjekje për ta avancuar arsimin kërkonte edhe njerëz të gatshëm të merrnin përgjegjësi. Në ato rrethana, Vaid Saiti ishte ndër mbështetësit e parë, jo vetëm moralisht, por edhe materialisht e financiarisht. Ai ndihmoi me mjete konkrete, duke dëshmuar se për të arsimi nuk ishte thjesht një çështje institucionale, por një mision shoqëror, një përgjegjësi ndaj brezave dhe një investim në të ardhmen. Kjo nuk ishte një ndihmë e rastësishme dhe as një gjest i çastit. Ishte shprehje e një bindjeje të thellë se pa arsim nuk mund të ndërtohet një shoqëri e qëndrueshme, ndërsa pa njerëz të guximshëm nuk mund të hapen rrugë të reja për brezat që vijnë.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm i veprimtarisë së Vaid Saitit lidhet me Universitetin e Tetovës, të cilin ai e mbështeti që nga themelimi, edhe në cilësinë e anëtarit të Senatit të Universitetit të Tetovës. Në një periudhë historike kur çdo kontribut kërkonte jo vetëm përkushtim, por edhe guxim qytetar, ai zgjodhi të ishte pranë arsimit, pranë institucioneve dhe pranë përpjekjeve që synonin t’u hapnin horizonte të reja brezave të rinj. Për mua, kjo pjesë e veprimtarisë së tij ka një domethënie të veçantë, sepse në të njëjtën periudhë pata nderin të ushtroja detyrën e kryetarit për financa për komunat e Kumanovës dhe Likovës, detyrë në të cilën isha emëruar nga vetë Vaid Saiti, në kohën kur ai ushtronte detyrën e kryetarit të Komunës së Likovës.
E kujtoj këtë jo thjesht si një fakt të biografisë sime, por si një dëshmi të besimit që ai kishte tek njerëzit dhe tek aftësia e tyre për t’u shërbyer institucioneve dhe qytetarëve.

Besimi ishte një nga vlerat që e karakterizonte, ai dinte të shihte përtej rrethanave të momentit dhe t’u jepte hapësirë njerëzve që mendonte se mund të kontribuonin për të mirën e përbashkët.

GJURMËT QË NUK I FSHIN KOHA

Sot, gjashtë vjet pas ndarjes së tij nga ne, koha nuk e ka zbehur kujtimin e Vaid Saitit. Përkundrazi, kalimi i viteve e bën edhe më të dukshme peshën e veprës së njerëzve që kanë ditur të kontribuojnë në momentet e rëndësishme. Njeriu largohet nga kjo botë, por vepra e tij mbetet.

Ajo mbetet në institucionet që ndihmoi të forcohen, në njerëzit të cilëve u dha dorë, në brezat që përfituan nga vizioni i tij dhe në kujtesën e atyre që patën fatin ta njohin nga afër. Prandaj, sot nuk dua ta kujtoj Vaid Saitin vetëm përmes dhimbjes së humbjes, dua ta kujtoj përmes mirënjohjes.

Mirënjohjes për mikun që ishte, për besimin që dha, për ndihmën që ofroi, për qëndrimin e tij ndaj arsimit.

Dhe, mbi të gjitha, mirënjohjes për gjurmën që la në një kohë kur shumëçka kërkonte sakrificë, guxim dhe përkushtim.

Në kohën e sotme, kur kontributet e njerëzve që kanë punuar për ndërtimin e institucioneve dhe për përparimin e shoqërisë shpesh rrezikojnë të mbulohen nga harresa, është detyrë njerëzore dhe morale që kujtesa të mos heshtë. Sepse një shoqëri që harron njerëzit që kanë kontribuar për të, rrezikon të harrojë edhe një pjesë të historisë së vet.

Për mua, Vaid Saiti mbetet një mik i çmuar, një bashkëpunëtor i besueshëm dhe një njeri që, në momente të rëndësishme, zgjodhi të ishte në anën e arsimit, humanizmit e të njerëzve dhe të së ardhmes.

Dhe kjo është trashëgimia e tij më e çmuar. Lavdia e njeriut nuk matet vetëm me postin që ka mbajtur, por me gjurmën që ka lënë pas vetes.

Vaid Saiti la gjurmë, sot, me mall, respekt dhe mirënjohje, përkulem para kujtimit të tij dhe shpreh falënderimin tim të thellë për gjithçka që bëri në ato vite të vështira, për arsimin, për institucionet dhe për shoqërinë.

U prehtë në paqe, miku im i dashur, Vaid Saiti, Zoti të shpërbleftë me Parajsë-xhenet, për kontributin e dhënë. Emri yt le të mbetet në kujtesë jo vetëm si një emër i së kaluarës, por si pjesë e një kohe dhe e një brezi që, me sakrificë, guxim dhe përkushtim, ndihmoi të hapen dyer të reja për brezat që erdhën pas nesh. Sepse njerëzit mund të largohen nga kjo botë, por vepra e tyre nuk largohet, dhe sa kohë që kujtohet vepra, nuk vdes kujtimi.
Kujtimi për njerëzit e mëdhenj nuk është vetëm dhimbje për mungesën e tyre, është mbi të gjitha mirënjohje për privilegjin që patëm t’i njohim.