Sot, në fshatin tonë të dashur Burim (Izvor), u mbajt takimi i bashkëfshatarëve, i organizuar nga Këshilli i Fshatit, i cili kishte karakter festiv, shoqëror dhe informues.
Ky takim ishte një mundësi e mirë që bashkëfshatarët të mblidhen, të bisedojnë, të kujtojnë të kaluarën dhe njëkohësisht të shohin përpara, drejt projekteve dhe angazhimeve të reja për të mirën e fshatit tonë.
Gjatë takimit, kryetari i Këshillit të Fshatit, Jeton Abazi, informoi të pranishmit për punën dhe aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe për angazhimet, planet dhe sfidat që e presin Këshillin në periudhën e ardhshme.
U theksua rëndësia e bashkëpunimit, unitetit dhe kontributit të secilit bashkëfshatar në zhvillimin dhe përparimin e Burimit.
Atmosferën festive të këtij takimi e begatoi edhe më shumë prezenca e këngëtarit Arif Murati, i cili me këngët e tij burimore dhe interpretimin e veçantë krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Nuk munguan kënga, vallëzimi, buzëqeshjet dhe shoqërimi mes bashkëfshatarëve. Për të gjithë të pranishmit, Këshilli i Fshatit kishte përgatitur edhe një koktej dhe pritje të përbashkët, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë.
Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt shkon për të gjithë bashkëfshatarët që morën pjesë në këtë takim, e veçanërisht për mërgimtarët tanë, të cilët edhe pse larg vendlindjes, vazhdojnë të jenë të lidhur ngushtë me Burimin dhe të tregojnë interes e përkushtim për vendlindjen e tyre.
Pjesëmarrja juaj është dëshmi se Burimi na bashkon të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë.
Këshilli i Fshatit shpreh mirënjohje për secilin që kontribuoi në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij takimi dhe shpreson që ky aktivitet të shndërrohet në një traditë të përvitshme.
Urojmë që vitin e ardhshëm të takohemi sërish, me edhe më shumë bashkëfshatarë, me një manifestim edhe më të pasur, më madhështor dhe me shumë më tepër aktivitete.
Burimi është shtëpia jonë e përbashkët.
Ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë çdo ditë e më të bukur!
Me respekt,
Këshilli i Fshatit Burim (Izvor)

