Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kumanovë ka mbajtur sot konferencë për media para Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, duke ngritur akuza për diskriminim etnik gjatë punësimeve të fundit në këtë institucion shëndetësor, raporton TVFesta.mk.
Përfaqësuesi i BDI-së në Kumanovë, Amir Shabani, deklaroi se në spital janë realizuar 90 punësime, ndërsa, sipas tij, asnjë nga personat e punësuar nuk është shqiptar.
“90 me zero! Një diskriminim i përmasave të tilla nuk mbahet mend as në 50 vitet e fundit. Madje, as në ish-Jugosllavi nuk ndodhte që në një institucion të tillë të mos gjendej qoftë edhe një shqiptar”, deklaroi Shabani.
Ai e cilësoi situatën si alarmante, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për përjashtimin e shqiptarëve nga procesi i punësimit.
Gjatë konferencës, Shabani kërkoi hetim institucional për të sqaruar kriteret dhe procedurat mbi të cilat janë realizuar këto punësime, duke e cilësuar procesin si jotransparent.
“Ne nuk jemi këtu për të kërkuar lëmoshë! Jemi këtu sepse rreth 70 mijë shqiptarët që gravitojnë në këtë spital janë edhe taksapagues dhe kanë të drejtën e tyre të barabartë në këtë institucion”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i BDI-së kritikoi edhe heqjen e mekanizmit të balancuesit, duke pretenduar se kjo ka krijuar hapësirë për uljen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike.
Shabani drejtoi kritika të ashpra edhe ndaj koalicionit VLEN, duke kërkuar përgjigje për mungesën e pretenduar të shqiptarëve në këto punësime.
“A thua vallë, në gjithë Kumanovën nuk paska pasur as edhe një motër medicinale shqiptare të kualifikuar? Si është e mundur që në një qytet me dhjetëra mijëra shqiptarë të realizohen kaq shumë punësime dhe asnjë shqiptar të mos gjejë vend në to, ndërsa ju vazhdoni të heshtni?”, pyeti Shabani.
Ai gjithashtu akuzoi përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri për mungesë reagimi, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tyre ndaj partnerit qeveritar VMRO-DPMNE.
Në fund, Shabani paralajmëroi se BDI do të vazhdojë t’i ndjekë proceset e punësimit në institucionet publike dhe do të ndërmarrë hapa institucionalë e politikë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë barazi! Nuk kërkojmë lëmoshë. Kërkojmë të drejtën që na takon!”, përfundoi Shabani.
Pretendimet për 90 punësimet dhe përkatësinë etnike të personave të pranuar nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Deri në këtë raportim nuk është përfshirë një qëndrim nga drejtuesit e Spitalit të Kumanovës apo nga koalicioni VLEN lidhur me akuzat e ngritura.

