Deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, ka reaguar ashpër lidhur me punësimet e fundit në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, duke pretenduar se nga 80 persona të punësuar, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar, raporton TVFesta.mk.
Sipas Azirit, një situatë e tillë përbën shqetësim serioz për respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike.
“Kjo nuk është thjesht një statistikë punësimi. Kjo është një dëshmi shqetësuese e mungesës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në një institucion publik”, ka deklaruar Aziri.
Ai ka theksuar se Kumanova është qytet multietnik, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë, prandaj, sipas tij, është e papranueshme që një institucion publik të mos pasqyrojë këtë realitet në strukturën e të punësuarve.
Siç informon tvfesta Deputeti shqiptar ka kërkuar përgjigje nga institucionet kompetente lidhur me kriteret dhe procedurat e punësimit, si dhe përgjegjësinë për mungesën e pretenduar të shqiptarëve në këto punësime.
“Si është e mundur që nga 80 punësime të mos ketë asnjë shqiptar? Cilat kanë qenë kriteret dhe procedurat e punësimit? A është respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat? Kush mban përgjegjësi për këtë gjendje?”, ka pyetur publikisht Aziri.
Ai ka nënvizuar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj apo favor politik, por parim kushtetues dhe detyrim institucional.
“Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë barazi, dinjitet dhe mundësi të barabarta. Institucionet publike nuk janë pronë e askujt. Ato janë institucione të të gjithë qytetarëve”, ka theksuar deputeti.
Në fund, Aziri ka kërkuar transparencë, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për korrigjimin e këtij disproporcioni të pretenduar.
“Barazia nuk matet me deklarata politike, por me përfaqësimin real në institucione”, ka përfunduar ai.
Pretendimet për numrin dhe përkatësinë etnike të të punësuarve nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa mbetet të shihet nëse drejtuesit e Spitalit të Kumanovës do të japin sqarime lidhur me këto akuza. /tvfesta

