LAJME

Arrestohet 25-vjeçari nga Shqipëria në Tabanoc, policia sekuestron rimorkion e kamionit

Një 25-vjeçar nga Republika e Shqipërisë është arrestuar në Pikën Kufitare Tabanoc, pasi gjatë kontrollit të kamionit që drejtonte janë konstatuar parregullsi në numrin identifikues të rimorkios, raporton TVFesta.mk.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor 2026, rreth orës 14:34, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, ku zyrtarët policorë kanë privuar nga liria shtetasin A.M. (25).

Gjatë kontrollit kufitar të automjetit transportues të markës “Volvo”, me rimorkio “Krone” dhe targa shqiptare, policia ka konstatuar se numri identifikues VIN i rimorkios nuk ndodhej në vendin e përcaktuar sipas specifikimeve origjinale të prodhuesit.

Pas konsultimit me prokurorin publik, rimorkioja është sekuestruar, ndërsa 25-vjeçari është ndaluar në ambientet e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë.

Nga policia bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit të ndaluar do të parashtrohet kallëzimi përkatës. /tvfesta