LAJME

Sulejmani i përgjigjet BDI-së për bursat: Mos manipuloni me rezultate të pjesshme, prisni të publikohen të gjitha!

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka reaguar ndaj pretendimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027, duke theksuar se rezultatet e publikuara deri më tani nuk paraqesin pasqyrën përfundimtare të shpërndarjes së bursave, raporton tvfesta.mk.

Përmes një reagimi publik, Sulejmani ka deklaruar se bursat nuk ndahen në bazë të përkatësisë etnike apo preferencave politike, por sipas kritereve të përcaktuara në konkurset e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Bursat nuk ndahen mbi bazën e përkatësisë etnike apo preferencave politike, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht në konkurset e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, ka theksuar Sulejmani.

Ai ka sqaruar se rezultatet e deritanishme përfshijnë katër kategori bursash: për fëmijët pa prindër, nxënësit e talentuar, artistët e talentuar dhe sportistët e talentuar.

Sipas tij, secila kategori ka kritere të veçanta, ndërsa vlerësimi i aplikimeve dhe dokumentacionit realizohet nga komisionet profesionale, të cilat duhet të zbatojnë kushte të njëjta për të gjithë kandidatët.

Priten rezultatet edhe për 2.470 bursa të tjera

Sulejmani ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim pritet të publikohen rezultatet edhe për dy kategori të tjera, të cilat përfshijnë gjithsej 2.470 bursa.

Bëhet fjalë për 900 bursa për mbështetje sociale të nxënësve dhe 1.570 bursa për nxënësit e regjistruar në paralele duale, në kuadër të arsimit profesional.

Ai ka theksuar se pikërisht në këto dy kategori interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh.

“Çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre”, ka deklaruar zëvendësministri. /tvfesta