LAJME

Driton Sulejmani: Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze

Duke iu përgjigjur kritikave të BDI-së, Sulejmani ka theksuar se përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe transparencë, por jo përmes interpretimeve të pjesshme, informon tvfesta.mk

“Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze, por ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe fakte të plota. Nuk mund të nxirren përfundime për një proces të tërë përderisa rezultatet e të gjitha kategorive ende nuk janë publikuar”, ka theksuar ai.

Zëvendësministri është shprehur i gatshëm për publikimin dhe analizimin e të dhënave të përmbledhura mbi aplikimet, kriteret dhe rezultatet e pikëzimit, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai ka rikujtuar gjithashtu se çdo kandidat i pakënaqur me rezultatet ka të drejtë të shfrytëzojë mekanizmat ligjorë të ankimimit.

Në fund, Sulejmani u ka bërë thirrje subjekteve politike që çështjet e arsimit të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike, por të kontribuojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve për të shfrytëzuar mundësitë që u ofrohen.

“Përkushtimi ynë mbetet i qartë: mundësi të barabarta për çdo nxënës, respektim i kritereve dhe transparencë në çdo vendim”, ka përfunduar Sulejmani. /tvfesta