KUMANOVË

Studenti nga Kumanova, Merdijan Isaki, pjesë e takimit të studentëve shqiptarë me presidentin Begaj

Studenti nga Kumanova, Merdijan Isaki, ka marrë pjesë në një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ku janë diskutuar çështje që lidhen me shqiptarët kudo që jetojnë, si dhe roli i të rinjve në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare, raporton tvfesta.mk.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Isaki ka bërë të ditur se gjatë takimit me kreun e shtetit shqiptar është diskutuar për sfidat dhe çështjet që preokupojnë shqiptarët, me theks të veçantë te angazhimi i rinisë në çështjet kombëtare.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë të jem pjesë e takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, ku diskutuam për çështjet e shqiptarëve kudo që jetojnë, si dhe për rolin dhe angazhimin e rinisë shqiptare në çështjet kombëtare”, ka shkruar Isaki.

Studenti kumanovar ka njoftuar gjithashtu se ka marrë pjesë në votimin e një rezolute për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, të zhvilluar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

“Gjithashtu, pata kënaqësinë të votoj në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë rezolutën për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar”, ka theksuar ai.

Pjesëmarrjen e tij në këto aktivitete, Isaki e ka cilësuar si një përvojë të rëndësishme, duke vënë në pah përkushtimin ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar.

“Për gjuhën, identitetin dhe çështjen tonë kombëtare!”, ka përfunduar studenti. /tvfesta