Fshati Nikushtak i Komunës së Likovës ka marrë pamje festive me rastin e festës së 28 Nëntorit, pasi rrugët kryesore të fshatit janë stolisur me flamuj kombëtarë shqiptarë, raporton tvfesta.mk.
Iniciativa është realizuar nga Forumi Rinor Nikushtak (FRN), i cili ka ndërmarrë aktivitetin për të shënuar festat e nëntorit dhe për të krijuar atmosferë festive në fshat.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Forumi Rinor Nikushtak ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është realizuar stolisja e rrugëve kryesore me flamuj kuqezi.
“Sot, për nder të festave të nëntorit, u bë stolisja e rrugëve kryesore të fshatit Nikushtak me flamuj kombëtarë. Urime festat e Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!”, thuhet në njoftimin e Forumit Rinor Nikushtak.
Me flamujt kuqezi të vendosur përgjatë rrugëve, Nikushtaku i është bashkuar atmosferës festive që shoqëron shënimin e këtyre datave të rëndësishme për shqiptarët. /tvfesta

