KUMANOVË

Shaini në “FOL”: Nuk jam penduar që hyra në politikë, dua të dal faqebardhë

Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, ka deklaruar se nuk është penduar asnjëherë për angazhimin e saj politik, por theksoi se nuk dëshiron të jetë pjesë e atyre politikanëve që qëndrojnë në pushtet derisa qytetarët të kërkojnë largimin e tyre.

Në një intervistë për Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Shaini foli për karrierën politike, jetën private dhe mënyrën se si e sheh të ardhmen e saj në politikë.

E pyetur nëse është penduar ndonjëherë që është përfshirë në politikë, ajo u përgjigj prerazi:

“Jo, unë nuk jam penduar, aspak.”

Megjithatë, Shaini theksoi se politika nuk duhet të konsiderohet një profesion i përjetshëm dhe se çdo politikan duhet ta kuptojë momentin kur duhet t’ua lëshojë vendin brezave të rinj.

“Unë nuk do të doja të jem në mesin e atyre politikanëve që kërkohet dorëheqja e tyre me protesta”, deklaroi ajo.

Një nga mesazhet më të forta të intervistës ishte qëndrimi i saj për integritetin personal dhe pasurinë e politikanëve.

“Ashtu siç kam hyrë faqebardhë, dua të dal faqebardhë”, u shpreh Shaini, duke shtuar se dëshiron ta përfundojë angazhimin politik pa shtim të pasurisë personale.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ajo tha se, sipas informacioneve që posedon, nuk pret zgjedhje të parakohshme dhe se zgjedhjet e rregullta pritet të mbahen në vitin 2028.

E pyetur nëse do të pranonte të kandidonte sërish për deputete, Shaini u përgjigj pozitivisht, por theksoi se vendimi varet nga mënyra e përpilimit të listave zgjedhore.

Ajo shtoi se, pavarësisht funksionit që mund të ushtrojë në të ardhmen, synimi i saj mbetet kontributi për qytetarët dhe përfaqësimi i kërkesave të tyre.