Doli nga shtypi libri më i ri i intelektualit dhe autorit Ardian Ramadani, me titull “Refleksione në kohë krize”.
Libri përmban reflektime, përsiatje dhe trajtime të një ecejaku kohor 2013-2026, që lëvizin midis disa boshteve theme¬lore: politikës dhe lidershipit, europeanizimit dhe ballkanizimit, kulturës dhe identitetit, frankofonisë, dimensionit ndërkombëtar të mendimit, intelektualit e të riut që kërkon orientim dhe shoqërisë që përballet me sfida të reja. Në libër i kushtoher rëndësi edhe kulturës, artit, letërsisë, personaliteteve kulturore, e mes tjerash shoshitetn edhe analiza gjeopolitike, reflek-time mbi ndikimet globale, mbi raportet rajonale, mbi tensionet dhe përplasjet që formësojnë realitetin tonë. Lufta në Ukrainë, ndikimet e jashtme në Ballkan, sfidat e integrimit evropian, e kështu me radhë, të gjitha trajtohen si pjesë e një tabloje më të gjerë, ku vendet e vogla, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria…. tërë Ballkani Perëndimor, nuk janë spektatore, por aktore që duhet ta zgjedhin drejtimin e tyre.
Libri është botim i shtëpisë botuese “Armagedoni” në Prishtinë. Redaktor i librit është publicisti dhe analisti Xhevdet Pozhari nga Prishtina, ndërkaq recensentë janë ish politikani dhe profesori universitar Xheladin Murati, si dhe kryeredaktori i gazetës “KOHA” në Shkup Vedat Memedaliu.
Në fjalën e tij redaktori, Xhevdet Pozhari, mes tjerash thekson: “Reflektime në kohë krize” nuk ofron rehati iluzore dhe as përgjigje të gatshme. Ai kërkon mendim, kër¬kon guxim dhe kërkon përgjegjësi. Në një kohë kur zhurma shpesh zë vendin e arsyes, ky libër zgjedh të qëndrojë në anën e qartësisë. Sepse shoqëritë nuk rrënohen nga mungesa e fjalëve, por nga mungesa e mendimit dhe nga mosballafaqimi me portretin kolek¬tiv!
Prof. Xheladin Murati në vlerësimin e tij thekson “ Vepra e z. Ramadani është shprehje e mendimit të lirë. Kjo shprehje, skalitje, sa e lehtë aq edhe e gjerë, në kompozicion ka mundësuar që tekstet e shkruara të tij të jenë shpërthyese dhe shumë më tepër racio¬nale. Pastaj, brenda trungut të copëzave publicistike dhe letrare reflektohet larmia e modelimeve, që lidhen me artistiken në kompozicion, ku fjala shfaqet si opsion dhe reflekton konstruktin e veprës”.
E ndërkaq Vedat Memedaliu për librin në fjalë shprehet: “Libri i Ardian Ramadanit mund të kon¬siderohet kontribut i rëndësishëm në publicistikën dhe mendimin kritik shqiptar. Ai pasuron diskursin intele¬ktual duke ofruar analiza të shumanshme dhe reflek¬time që e vendosin lexuesin përballë pyetjeve të mëdha mbi identitetin, lidershipin dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Në një kohë kur debatet publike shpesh reduktohen në slogane dhe polarizime, kjo vepër përfaqëson një përpjekje për ta rikthyer peshën e argumentit dhe të mendimit kritik në jetën publike”.
Ardian Ramadani, qysh në moshë fare të re ka punuar profesor i gjuhës frënge, fillimisht në shkollat e mesme të Kumanovës, më pas profesor në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë. Ka punuar përkthyes në Misionin Ushtarak të Ambasadës së Francës në Shkup. Aktualisht është hulumtues në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup si dhe përkthyes në Ambasadën e Francës dhe Institutin Francez në Shkup. Në vitin 2025 është emëruar ambasador për Maqedoninë e Veriut, i organizatës “Francophonia”, si misionare dhe aktore e përkushtuar në komunitetin edukativo-arsimor dhe kulturor frëngjishtfolës, me seli në Nisë (Francë).
Ky është libri i gjashtë me radhë i Ardian Ramadani. Deri më tash ka botuar librat: Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d’Etat dhe Shteti-Komb, Tetovë, 2009; Shpalosja e labirintit – studime, artikuj dhe analiza, Tetovë, 2010; Gjurmë realitetesh – artikuj publicistikë dhe polemika, Shkup, 2011; Fakte që flasin – studime, artikuj, ese dhe analiza, Kumanovë, 2012; Libër mes librash, Shkup, 2016.

