Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së pushtetit lidhur me organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Reagimi vjen pasi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ftoi në një takim konsultativ studentët shqiptarë dhe dekanët e fakulteteve juridike për të diskutuar zgjidhjen dhe modalitetet e realizimit të këtij provimi, raporton tvfesta.mk
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka akuzuar Qeverinë dhe ministrin se në vend që të zbatojnë me përpikëri ligjin që garanton dygjuhësinë, po u propozojnë studentëve zgjidhje kompromisi që e zbehin atë.
“Në vend që ministri dhe Qeveria të kërkojnë zbatimin konsekuent të ligjit, ata zgjedhin t’u thonë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim ligjin, ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht’,” ka deklaruar Ademi.
Përplasja për provimin e jurisprudencës ka qenë në qendër të debatit politik dhe arsimor, meqenëse përfaqësuesit studentorë prej kohësh kërkojnë të drejtën e garantuar me ligj për ta dhënë provimin e shtetit plotësisht në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, opozita shqiptare pretendon se çdo formulim që kërkon përdorim të pjesshëm apo hibrid të gjuhëve përbën shkelje ligjore dhe shmangie nga zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ndërkohë, takimi i thirrur nga ministri Shasivari me dekanët dhe përfaqësuesit e studentëve shihet si një përpjekje për të gjetur një rrugëdalje praktike për këtë çështje që prek qindra absolventë të drejtësisë në vend. /tvfesta

